Maqedonia e Veriut, 1031 raste të reja me koronavirus dhe 20 humbje jete

exit.al 13 Mars 2021, 20:22

Maqedonia e Veriut ka regjistruar të shtunën numrin më të lartë të infektimeve me COVID-19 që prej muajit dhjetor.

Autoritetet kanë raportuar 1031 raste nga 4373 testime të kryera.

Gjatë 24 orëve të fundit kanë humbur jetën 20 pacientë të infektuar em COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar për rritjen e numrit të personave të shtruar në spitale. 406 pacientë po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Shkupit.

Që nga nisja e pandemisë në Maqedoninë e Veriut janë diagnostikuar 112107 persona me COVID-19. Prej tyre, 3300 e kanë humbur jetën, 97166 janë shëruar, ndërsa 11641 të tjerë janë ende aktivë me koronavirus.

Maqedonia e Veriut deri më tani ka marrë rreth 8 mijë doza të vaksinës së Pfizer nga Serbia, të cilat janë përdorur për vaksinimin e personelit shëndetësor dhe 3 mijë të tjera të prodhuesit kinez Sinopharm, me të cilat po vaksinohen të moshuarit dhe të sëmurët kronikë.

Shpërndaje te miqtë