LSI kërkon rinumërim të votave në qarkun Durrës

exit.al 9 Maj 2021, 21:20

Lëvizja Socialiste për Integrim kërkoi të dielën rinumërin të votave dhe rivlerësim të rezultatit të zgjedhjeve në qarkun e Durrësit.

Në bazë të dokumentit të depozituar pranë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, publikuar nga BË, LSI pretendon se:

- në disa qendra votimi në Durrës janë gjetur fletë votimi pa vulë, të cilat janë futur nga jashtë;

- në pothuajse çdo ZAZ në qark janë konstatuar tentativa të votimit të dyfishtë;

- në qendrën e votimit 1257 konstatohet mungesa e kamerave të vëzhgimit, në thyerje të ligjit.

Sipas rezultatit paraprak të zgjedhjeve të shpallur nga KQZ, LSI nuk ka mundur të sigurojë asnjë mandat në qarkun e Durrësit.

Ndërkohë, mëngjesin e së dielës LSI kërkoi shpalljen e pavlefshme të rezultatit të zgjedhjeve në qarkun e Beratit dhe përsëritjen e votimit në këtë zonë.

Gjithashtu, pak ditë më parë LSI ka kërkuar shpalljen e pavlefshme të rezultatit zgjedhor edhe për qarkun e Gjirokastrës.