LSI akuzon qeverinë për përdorimin e administratës në fushatën zgjedhore në Korçë

exit.al 13 Prill 2021, 14:59

LSI akuzoi qeverinë për përdorimin e administratës gjatë fushatës zgjedhore. Përmes një deklarate për shtyp, sekretari i përgjitshëm, Endrit Brahimllari akuzoi ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi se po përdor drejtorë të institucioneve publike, drejtorë shkollash, mësues, drejtues të qendrave shëndetësore.

Ai tha se Peleshi i ka urdhëruar shtëpi më shtëpi me para, duke ofruar leje legalizimi, kontrata pune fiktive, ndihmë sociale selektive dhe partiake dhe mbështetjen e institucioneve në kundërshtim me ligjin.

“Të kapur në panik dhe në ankth nga mbështetja e jashtëzakonshme që LSI  po merr në Korçë nga socialistët, nga të rinjtë dhe të rejat energjike të Korçës, nga qytetarët e ndershëm që më 25 prill kërkojnë shanse dhe mundësi të barabarta, mundësi punësimi dhe një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre.”, u shpreh Brahimllari.

Ai ftoi qytetarët të votojnë LSI në zgjedhjet e 25 prillit.