Kuvendi krijon grupet e punës per aspektet e ndryshme të reformës zgjedhore

exit.al 22 Tetor 2019, 15:36

Komisioni i posaçëm parlamentar ka ngritur tre grupe pune për të shqyrtuar rekomandimet për reformën e re zgjedhore.

Grupet e punës do të kenë në përbërje 4 deputetë, dy nga shumica socialiste dhe dy nga opozita parlamentare.

Për ndryshimin e sistemit zgjedhor, grupi punës do të përbëhet nga Damian Gjiknuri, Bashkim Fino, Myslim Murrizi dhe Nimet Musaj.

Për financimin e partive, grupi i punës do të përbëhet nga Blerina Gjylameti, Klotilda Bushka, Arben Elezi dhe Ralf Gjoni.

Për votën e emigrantëve, grupi i punës do të përbëhet nga Alket Hyseni, Adnor Shameti, Korab Lita dhe Adriatik Alimadhi.

Miratimi i reformës zgjedhore ka qënë një nga kushtet e vendosura nga Bundestagu për hapjen e bisedimeve me Shqipërinë.

Kryeministri Rama ka deklaruar kohët e fundit se reforma e re do të miratohet brenda vitit 2019 sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

Lulzim Basha, gjithashtu ka theksuar se “reforma zgjedhore është vendimtare për ne dhe e vetmja rrugë për të dalë nga kjo krizë”.