“Duke filluar nga 15 Marsi, ne do të fillojmë heqjen e tarifave për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina, të cilat janë vendosur nga qeveria e kaluar.
Fillimisht, do hiqen tarifat për lëndët e para.
Ne shpresojmë se veprimet tona do të kthehen me reciprocitet nga Beogradi, nga i cili presim t’i largojë të gjitha barrierat jo-tarifore për tregtinë me Kosovën, si dhe të ndalojë fushtatën për çnjohjet e Kosovës.
Ne po ashtu ftojmë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian për krijimin e mekanizmave monitorues dhe sanksionues, për të siguruar që dy palët t’i përmbahen zotimeve të bëra gjatë marrëveshjeve të tanishme si dhe atyre në të ardhmen.”
Albin Kurti shprehu gatishmërinë e qeverisë së tij për të bashkëpunuar ngushtë me SHBA-të për dialogun Kosovë-Serbi, me qëllimin final njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Kryeministri Kurti njoftoi më 27 shkurt se Kosova do të nisë heqjen graduale të tarifave 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia e Bosnje-Hercegovina. Ky vendim ka ngjallur reagime të forta si brenda vendi, ashtu dhe nga ndërkombëtarët. Veçanërisht i ashpër ka qenë reagimi i të dërguarit të Posaçëm të presidentit Trump për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell, i cili kundërshtoi vendimin e Kurtit për heqje graduale dhe kërkoi heqjen e të gjitha tarifave. Për më tepër, lexoni të plotë këtu të gjitha reagimet pro dhe kundër për vendimin e Kurtit për heqjen e tarifave ndaj Serbisë.
