Kurti dhe Zaev ndërhyjnë në zgjedhjet e 25 prillit

exit.al 17 Prill 2021, 12:00

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev kanë ndërhyrë në zgjedhjet e Shqipërisë në 25 prill. Kurti mbështeti hapur në rrjetet sociale tre kandidatët e pavarur që garojnë nën siglën e LVV-së në Shqipëri, Boiken Abazi, Iliaz Shehu dhe Kreshnik Merxhani. Madje anëtarë të qeverisë së Kosovës dhe deputetë të LVV-së erdhën ën Shqipëri për të mbështetur në fushatë këta kandidatë. Kryetari i opozitës kosovare e akuzoi Kurtin se nuk po punon në Kosovë për shkak të angazhimit në zgjedhjet në Shqipëri. Ndërsa, Kryeministri i Maqedonisë së Veritu i bëri thirrje maqedonasve në vend të votojnë për Edi Ramën. Në një postim në rrjetet sociale, Zaev shkroi:

“Në listën e PS, mikut tim të dashur Edi Rama është edhe Vasil Sterjovski, një maqedonas dhe prej dy vitesh është pjesë e Parlamentit në Shqipëri. Dita kur Sterjovski u bë deputeti i parë maqedonas në Parlamentin shqiptar ishte historike. 25 prilli është gjithashtu një ditë e rëndësishme, dita kur ju do të votoni si maqedonas në Republikën e Shqipërisë që Vasili të vazhdojë misionin e tij për të përfaqësuar maqedonasit në Parlamentin e Shqipërisë. Ju bëj thirrje të gjithëve që në 25 prill të votoni numrin 12, të mbështesni Vasil Sterjovskin dhe Partinë Socialiste”.