Shqiptarët e Uashingtonit protestojnë kundër qeverisë Rama

Stafi i Exit 13 Qershor 2026, 18:54

Shqiptarët e Uashingtonit protestojnë kundër qeverisë Rama

Dhjetëra shqiptarë që jetojnë në Uashington protestuan të shtunën para ambasadës shqiptare në kryeqytetin amerikan. Folësit në tubim dënuan planet që, sipas tyre, po çojnë në shkatërrimin e natyrës dhe kërkuan dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama.

Protesta e tyre merr një domethënie të veçantë në një moment kur Rama po përpiqet t’i paraqesë protestat kundër qeverisjes së tij dhe kundër projekteve të ndërtimit që rrezikojnë pasuritë natyrore të Shqipërisë si protesta të manipuluara kundër Presidentit amerikan Donald Trump.

Kryeministri ka pretenduar se mediat amerikane, duke i kushtuar vëmendje protestave në Shqipëri, po kontribuojnë në nxitjen e tyre me qëllim goditjen politike të Trump.

Megjithatë, protesta e shqiptarëve në Uashington, ku jetojnë më së shumti profesionistë që punojnë në administratën amerikane, institucionet financiare ndërkombëtare dhe organizata të tjera zhvillimore bie ndesh me narrativë.

Një protestë e ngjashme u mbajt para pak ditësh edhe në Nju Jork.

Tubimet në SHBA janë pjesë e një vale mobilizimi të diasporës shqiptare, që gjatë ditëve të fundit është shtrirë në disa qytete të Europës dhe Amerikës së Veriut.

Protesta të ngjashme janë zhvilluar apo paralajmëruar nga komunitetet shqiptare në Londër, Bruksel, Milano, Berlin, Stokholm, Toronto dhe qytete të tjera, në solidaritet me protestat që prej dy javësh po zhvillohen në Shqipëri kundër projektit në Zvërnec dhe qeverisë Rama.

Shtrirja ndërkombëtare e protestave sugjeron se pakënaqësia ndaj qeverisë shqiptare nuk po mbetet më një reagim i kufizuar brenda vendit, por po merr përmasat e një kundërshtimi më të gjerë qytetar, që tashmë po artikulohet edhe jashtë kufijve të Shqipërisë.

 

 

Shpërndaje te miqtë