
Shqipëria dhe Italia zhvilluan sot në Romë samitin e tyre të parë ndërqeveritar.
Palët nënshkruar disa marrëveshje bashkëpunimi dhe përcollën një mesazh të qartë politik: partneriteti mes dy vendeve po hyn në një fazë të re strategjike, mbështetur veçanërisht në bashkëpunimin ne4 fushën e mbrojtjes, energjisë dhe menaxhimin e migracionit.
Në prani të Kryeministrit Giorgia Meloni dhe Kryeministrit Edi Rama, u nënshkruan një numër i madh marrëveshjesh që mbulojnë kujdesin shëndetësor, energjinë, mjedisin, industrinë e mbrojtjes, arsimin, inovacionin, diasporën dhe politikën e migracionit.
Të dy udhëheqësit e përshkruan takimin si “ditë historike”.
Meloni: Të vendosur të ecim përpara—shumë u munduan ta bllokonin modelin shqipëtar
Meloni e përdori samitin për të rikonfirmuar projektin e saj politik kryesor: zbatimin e protokollit Itali–Shqipëri për menaixhimin e migracionit.
Me një ton sfidues, Meloni deklaroi se kritikët—politikanë, gjyqtraë dhe europianë—nuk do të mund ta ndalin skemën e përpunimit të migrantëve jashtë territorit italian.
“Determinati ad andare avanti. Shumë punuan për ta ngadalësuar ose bllokuar, por ne jemi të vendosur të ecim përpara,” u shpreh Meloni, duke argumentuar se modeli ka potencialin të ndryshojë tërësisht qasjen e menaxhimit të migracionit nga BE.
Ajo kritikoi ashpër vonesën dyvjeçare të shkaktuar nga pengesat ligjore dhe administrative, duke pretenduar se sapo të hyjë në fuqi Pakti i ri i BE-së për Migracionin dhe Azilin, qendrat në Shqipëri do të funksionojnë “pikërisht siç ishin menduar që në fillim”.
Kryeministrja italiane vuri në dukje thellësinë strategjike të marrëdhënies dypalëshe—rreth 3 000 kompani italiane veprojnë në Shqipëri—dhe sinjalizoi dëshirën e Romës për të udhëhequr procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, me synimin që ratifikimi i Traktatit të Aderimit të nisë gjatë presidencës italiane të BE-së në vitin 2028.
Rama: Italia mund të na kërkojë çfarë të dojë—të tjerët jo
Nga ana e tij, Rama shprehu qartë përafrimin politik të Shqipërisë me Italinë, duke e paraqitur këtë marrëdhënie pothuajse si marrëdhënie brenda një familjeje.
Ai iu referua Melonit si “motra e madhe” — dhe e përshkroi samitin si shprehjen të natyrshme të një lidhjeje emocionale dhe gjeopolitike të kahershme.
Rama përsëriti se Shqipëria do të mbajë qendra migracioni vetëm për Italinë, por jo për vende të tjera: “Me Italinë, do ta bëja këtë 100 herë. Me të tjerët—kurrë. Sepse ata nuk janë Italia. Ne ndihemi pjesë e këtij vendi.”
Rama rithekthsoi nga Roma propozimin e debatushëm se Shqipëria është e gatshme të anëtarësohet në BE edhe pa të drejtë vetoje apo vote, madje do të pranonte të përfaqësohej në Komisionin e BE-së përmes një komisioneri europian italian—një koncesion i paprecedentë nga një vend kandidat.
“Jemi gati të nënshkruajmë një marrëveshje për të mos përdorur veton apo votën. Ne jemi besimtarë fanatikë në vlerat europiane. Madje mund të përfaqësohemi nga komisioneri italian”, u shpreh Rama.
Deklarata sinjalizon një përshkallëzim dramatik të strategjisë së Shqipërisë: prioritizimin e hyrjes në strukturat europiane para pushtetit formal institucionale, dhe pozicionimin e Italisë si sponsori kryesor i saj.
Përparim në industrinë e mbrojtjes: projekti i përbashkët Fincantieri–Kayo për ndërtimin e anijeve
Një njoftim nga samiti sihte ai i krijimit të një ndërmarrjeje të përbashkët italo-shqiptare për ndërtimin e anijeve në Pashaliman, që përfshin gjigantin industrial italian Fincantieri dhe kompaninë shqiptare Kayo.
Rama konfirmoi se në Shqipëri do të ndërtohen shtatë anije, duke e quajtur projektin gjenerator “vendesh pune, dijeje dhe kapacitetesh strategjike”, duke nënkuptuar se anijet mund t’i shërbejnë nevojave mbrojtëse italiane, shqiptare ose të vendeve të treta.
Ky hap rrit profilin e Shqipërisë në prodhimin rajonal të mbrojtjes dhe mund të sinjalizojë synimin e Italisë për të vendosur një pjesë të zinxhirit të saj ushtarako–industrial në Shqipëri.
Një “ditë historike” por a do të sjellë pasoja historike?
Samiti i sotëm mund të rezultojë më shumë sesa ceremonial. Në një farë mënyre, ai shënoi një forcim të marrëdhënieve Shqipëri–Itali në fusha strategjike: mbrojtje, migracion, energji dhe integrim europian.
Por dinamika politike është e qartë: ndonëse të dyja palët e përshkruajnë partneritetin si “vëllazëror,” ai duket më shumë si pragmatizëm politik i udhëheqësve të dy vendeve: Italia po përdor Shqipërinë si një zgjidhje të pjesshme për problemin e saj të migracionit, ndërsa Shqipëria po kërkon një rrugë e shpejtë drejt anëtarësimit në BE përmes mbështetjes italiane.
Mbetet të shihet nëse ky pragmatizëm do të prodhojë një model për politikën e menaxhimit të migracionit nga BE-ja apo një rrugë efikase për anëtarësim nga vendet kandidate.
