
Komisioni Europian ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm për anëtarësimin e Malit të Zi në BE, duke miratuar të martën një paketë financiare që përcakton mënyrën se si vendi do të përfshihet në buxhetin e BE-së pas anëtarësimit.
Vendimi vjen pasi shtetet anëtare të BE-së ranë dakord para pak javësh të nisin hartimin e Traktatit të Anëtarësimit për Malin e Zi, një sinjal se vendi ka hyrë në fazën përfundimtare të negociatave.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e quajti paketën “një tjetër hap konkret drejt së ardhmes së Malit të Zi në Bashkimin Europian”.
Paketa, e miratuar në kuadër të Kapitullit 33 të negociatave, përgatit Malin e Zi për pjesëmarrje të plotë në programet financiare të BE-së, përfshirë zhvillimin rajonal, bujqësinë dhe politikat sociale, duke kaluar nga fondet e para-anëtarësimit tek i njëjti regjim financiar që zbatohet për shtetet anëtare.
Mali i Zi nisi negociatat me BE-në në vitin 2012, ka hapur të 33 kapitujt negociues dhe ka mbyllur përkohësisht 16 prej tyre.
Në maj 2026, Këshilli i BE-së ngriti grupin e punës për hartimin e traktatit të anëtarësimit, një nga hapat e fundit proceduralë para hyrjes në Union.
Ky zhvillim pritet të tërheqë vëmendje edhe në Shqipëri, ku Kryeministri Edi Rama ka deklaruar vazhdimisht se vendi po ecën me ritme të shpejta drejt anëtarësimit në BE.
Megjithatë, ndërsa Shqipëria hapi zyrtarisht negociatat në vitin 2022 dhe hapi relativisht me shpejtësi të gjithë kapitujt e negociatave ajo mbetet dukshëm prapa Malit të Zi në procesin e integrimit.
Vetëm 6 muaj më aprë Shqipëria konsiderohej më përpara Malit të Zi në përpjekjet për anëtarësim, por një sërë hapash të gabuar nga qeveria në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit e kanë ngadalësuar procesin e negociatave.
Vendimi i fundit i Komisionit Europian është një kujtesë se, pavarësisht retorikës politike në Tiranë, vendi më pranë anëtarësimit në Bashkimin Europian nga Ballkani Perëndimor mbetet aktualisht Mali i Zi, jo Shqipëria.
Shpërndaje te miqtë
