Komisioni Europran mirëpret Forumin e parë të Zgjerimit të BE-së: Shqipëria në qendër të vëmendjes

Ilmi Rehova 13 Nëntor 2025, 18:18

Forumi është një tjetër tregues i vullnetit politik për zgjerim nga Komisioni Evropian

Më 18 nëntor, Komisioni Europian do të organizojë për herë të parë Forumin Zgjerimit të Bashkimit Europian në Bruksel. Në të do të marrin pjesë krerë qeverish, liderë politikë, ekspertë politikash, përfaqësues të shoqërisë civile dhe figura të tjera nga vende anëtare dhe kandidate të BE-së për të diskutuar mbi të ardhmen e Bashkimit dhe fazën e re të zgjerimit.

Nën moton Plotësimi i Unionit për të siguruar të ardhme tonë, forumi synon ta kthejë ambicien politike në hapa konkretë drejt zgjerimit të BE-së.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, do të hapë forumin me një mesazh video, pasuar nga një fjalim i Komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos. Dita do të mbyllet me fjalën e António Costa-s, President i Këshillit Europian.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të mbajë një fjalim të veçantë në kuadër të forumit.

Zgjerimi, sërish në krye të axhendës së BE-së

Sipas Komisionit Europian, zgjerimi është kthyer në një nga prioritetet strategjike kryesore të Bashkimit Europian për periudhën 2024–2029 — pjesë thelbësore e përpjekjeve për të promovuar paqen, stabilitetin dhe begatinë në gjithë kontinentin.

Forumi zhvillohet në një moment të ri energjie dhe vullneti për vendet e Ballkanit Perëndimor, Ukrainën dhe Moldavinë, që BE-ja e përshkruan i “axhendën më ambicioze të zgjerimit në më shumë se një dekadë.”

Paneli i parë, me titull Domosdoshmëria Gjeopolitike e Zgjerimit, do të bashkojë drejtues të lartë europianë, përfshirë Komisioneren Kos, Kryeministrin e Malit të Zi Milojko Spajić, Kryeministrin e Moldavisë Alexandru Munteanu dhe Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, i cili do të mbajë një fjalim edhe më vonë gjatë ditës.

Diskutimet pritet të përqendrohen te reagimi i BE-së ndaj luftës në Ukrainë dhe rëndësia gjeopolitike e integrimit të Ballkanit Perëndimor.

Roli i Shqipërisë në debat

Për Shqipërinë, Forumi përbën një mundësi të rëndësishme për të ripozicionuar veten ndër vendet që janë më pranë anëtarësimit.

Në fjalën e saj, Komisionerja Kos pritet të nënvizojë bashkërendimin e përhershëm të Shqipërisë me politikën e jashtme të BE-së si dhe arritejt në reformat në drejtësi dhe energji — fusha që Komisioni Europian i ka vlerësuar së fundmi në Raportin e Progresit 2025.

Panelet e mëvonshme do të trajtojnë mënyrën si qytetarët e BE-së dhe të vendeve kandidate e perceptojnë zgjerimin dhe se si komunikimi më i mirë, reformat institucionale dhe bashkëpunimi i ngushtë mund ta afrojnë BE-në me anëtarët e saj të ardhshëm.

Ndërsa Bashkimi Europian po shtyn për të kaluar “nga ambicia në zbatim”, Forumi i Brukselit rreket të japë mesazhin se  zgjerimi nuk është më një aspiratë e largët, por një projekt i përbashkët europian — dhe për Shqipërinë, vitet e ardhshme mund të jenë vendimtare.