
Komisioni Europian ka lëshuar paralajmërimin më të fortë deri më sot lidhur me projektin e Zvërnecit, duke sinjalizuar se zhvillimi mund të cenojë drejtpërdrejt procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Në një deklaratë për Politico Europe, një zëdhënës i Komisionit tha se Shqipëria duhet të shmangë çdo veprim që mund të minojë përmbushjen e kritereve për mbylljen e Kapitullit 27, i cili mbulon mjedisin dhe ndryshimet klimatike.
“Ne kemi shprehur tashmë shqetësimet tona ndaj ministrit të Mjedisit për mangësitë e mundshme të këtij projekti”, deklaroi zëdhënësi i Komisionit për Politico Europe.
Zëdhënësi ka pohuar se ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, ka informuar autoritetet në Bruksel se punimet për projektin janë pezulluar dhe se do të kryhet një vlerësim i ndikimit në mjedis në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile.
Sipas raportimit të Politico-s, Komisioni i ka bërë të qartë qeverisë se “Shqipëria duhet të heqë dorë nga veprime që mund të cenojnë përmbushjen e kritereve për mbylljen e kapitullit [27] dhe [Komisioni pret] që autoritetet shqiptare të veprojnë pa vonesë”.
Komisioni kërkon që Shqipëria të harmonizojë plotësisht ligjet dhe standardet e saj me Direktivën e Shpendëve dhe Direktivën e Habitateve të BE-së përpara se të mund të mbyllë kapitullin e negociatave për mjedisin.
Kjo është hera e parë që Brukseli komenton hapur dhe lidh drejtpërdrejtë projektin e Zvërnecit me ecurinë e negociatave të anëtarësimit.
Kërkesa e Brukselit: shfuqizoni ligjin e investimeve strategjike dhe të zonave të mbrojtura
Komisioni Evropian i pohoi Politico-s se i ka përsëritur qeverisë, gjithashtu, dy kërkesa që janë kushte kritike për Shqipërinë.
Së pari, Brukseli kërkon shfuqizimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për zonat e mbrojtura, të cilat i hapën rrugën ndërtimeve në zonat që gëzojnë mbrojtje mjedisore.
Së dyti, Komisioni kërkon shfuqizimin e Ligjit për Investimet Strategjike, i cili u siguron procedura të përshpejtuara dhe përjashtime që mund të anashkalojnë garancitë mjedisore të kërkuara nga legjislacioni evropian, perveç favoreve fiskale dhe financiare.
Të dy këto ligje janë akuzuar për favorizime klienteliste. Në mënyrë domethënëse, ligji i investimeve strategjike nuk ka tërhequr asnjë investim të huaj, por është përdor vetëm për projektet e biznesmenëve vendas, kryesisht për ndërtime në bregdet.
Edhe SPAK në fokus
Komisioni Evropian konfirmoi gjithashtu se po ndjek me vëmendje hetimet e nisura nga SPAK lidhur me ndryshimet e statusit të mbrojtjes së zonës dhe çështjet e pronësisë së tokës.
“Vërejmë se projekti është gjithashtu objekt i hetimeve të vazhdueshme nga SPAK, të cilat raportohet se shtrihen përtej shqetësimeve mjedisore”, i tha zëdhënësi i Komisionit Politico-s.
Kjo deklaratë sugjeron se shqetësimet e Brukselit nuk kufizohen vetëm te aspekti ekologjik, por prekin edhe çështje të sundimit të ligjit dhe transparencës në vendimmarrje.
Goditje për narrativën e qeverisë
Deklaratat e Komisionit përbëjnë një sfidë të drejtpërdrejtë për narrativën e qeverisë, e cila prej muajsh ka argumentuar se kundërshtimi ndaj projektit është i motivuar politikisht dhe nuk lidhet me standardet evropiane.
Vetëm dy ditë më parë, Kryeministri Edi Rama deklaroi për Politico se liderët evropianë nuk po i kushtonin vëmendje trazirave politike në Shqipëri dhe se debati ndërkombëtar rreth projektit ekziston vetëm për shkak të përfshirjes së Jared Kushnerit.
“Nëse nuk do të ishte Jared, askujt nuk do t’i interesonte fare”, u shpreh Rama.
Megjithatë, reagimi i Komisionit Evropian tregon se çështja tashmë ka kaluar kufijtë e debatit të brendshëm politik dhe po trajtohet si një problem potencial i përputhshmërisë së Shqipërisë me legjislacionin evropian.
Test për objektivin e vitit 2030
Paralajmërimi i Brukselit vjen në një moment kritik për procesin e integrimit. Shqipëria konsiderohet një nga vendet më të përparuara të Ballkanit Perëndimor në negociata, ndërsa qeveria ka vendosur si objektiv anëtarësimin në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030 dhe mbylljen teknike të negociatave deri në fund të vitit 2027.
Por deklaratat e fundit të Komisionit sugjerojnë se mënyra se si do të trajtohet projekti i Zvërnecit mund të shndërrohet në një provë të rëndësishme për seriozitetin e angazhimit të Shqipërisë ndaj standardeve evropiane të mbrojtjes së mjedisit, sundimit të ligjit dhe transparencës institucionale.
Për herë të parë, Brukseli po sinjalizon qartë se çështja nuk është vetëm lokale. Ajo mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
