
Komisioni Europian e ka bërë të qartë se mbyllja e përkohshme e kapitujve të negociatave në fushat e shkencës e kërkimit dhe arsimit e kulturës nuk shënon përfundimin e punës në këto fusha.
BE-ja do të vazhdojë të monitorojë dhe mbështesë reformat për forcimin e arsimit të lartë, kërkimit shkencor, inovacionit dhe integritetit akademik.
Këtë qëndrim Komisioni e ka shprehur në përgjigjen ndaj një letre të hapur të akademikëve shqiptarë në diasporë, të cilët i kërkuan Bashkimit Europian të vazhdojë mbështetjen dhe monitorimin e këtyre sektorëve si elementë kyç për zhvillimin demokratik dhe ekonomik të vendit.
Në letrën e tyre, akademikët shprehën mbështetjen për protestat paqësore në Shqipëri dhe kërkuan një “kontratë të re shoqërore”, e cila vendos dijen, meritokracinë dhe kapitalin njerëzor në qendër të zhvillimit të vendit.
Ata i bënë thirrje BE-së që të vijojë angazhimin për garantimin e integritetit akademik, pavarësisë së universiteteve, rritjen e investimeve në kërkim shkencor dhe krijimin e politikave që synojnë rikthimin e kapitalit njerëzor në Shqipëri.
Në përgjigjen e tij, Komisioni Europian pohoi se i ka marrë në konsideratë këto shqetësime të ngritura dhe, se pavarësisht mbylljes së përkohshme të kapitujve 25 dhe 26, ai do të nxisë dhe mbështesë reforma të mëtejshme në këto fusha si pjesë e proçesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Komisioni vlerësoi gjithashtu rolin e diasporës shqiptare dhe gatishmërinë e saj për të kontribuar në zhvillimin e sektorëve të arsimit, shkencës dhe inovacionit.
Shpërndaje te miqtë
