
Uoren Bafit, i njohur si 'Orakulli i Omahës' ka qenë prej dekadash ndërgjegjja e kapitalizmit amerikan—njeriu që e shndërroi investimin në një disiplinë durimi, ndershmërie dhe përgjegjshmërie.
Për më shumë se gjashtë dekada, letrat e tij vjetore drejtuar aksionarëve të Berkshire Hathway, konglomeratit shumëkombësh që ai drejton që nga viti 1965, kanë përzier urtësinë financiare me reflektimin moral. Ato kanë ndikuar breza të tërë investitorësh me këshillat si të mendojnë për suksesin, përgjegjësinë dhe dinjitetin njerëzor.
Pak muaj më parë, në moshën 95 vjeçare, Bafiti vendosi të largohet nga drejtimi i Berkshire. Sot ai dërgoi letrën e tij të fundit për aksionerët, të cilën e mbyll me shënimin “Disa mendime të fundit”. Në të, Bafiti lë mënjanë shifrat financiare për të folur me sinqeritet dhe urtësi për diçka më të thellë: kuptimin e një jete të jetuar mirë.
Ai na kujton se madhështia nuk matet me pasuri apo famë, por me mirësi dhe integritet—se pastruesja dhe drejtori ekzekutiv kanë të njëjtën vlerë njerëzore.
Këshilla e tij, e distiluar nga një jetë e gjatë plot përvojë dhe arritje, është e thjeshtë: mëso nga gabimet, zgjidh heronjtë e duhur dhe jeto në mënyrë që nekrologjia jote t'ja vlejë të lexohet.
Kjo fjalë lamtumire e Bafit është më shumë se një mësim financiar—është një busull morale.
Ajo na kujton se vlera e vërtetë nuk qëndron në ato që zotërojmë, por në mënyrën si sillemi me të tjerët.
***
Disa Mendime të Fundit
Një vëzhgim ndoshta pak egoist. Jam i lumtur të them se ndihem më mirë për gjysmën e dytë të jetës sime sesa për të parën.
Këshilla ime: mos e mundoni veten për gabimet e së shkuarës — mësoni prej tyre dhe ecni përpara. Kurrë nuk është vonë për t’u përmirësuar.
Zgjidhni heronjtë e duhur dhe përpiquni t’i imitoni. Mund të filloni me Tom Mërfin; ai ishte më i miri.*)
Kujtoni Alfred Nobelin, që më vonë u bë i famshëm për Çmimin Nobel, i cili—siç thonë—lexoi nekrologjinë e vet botuar gabimisht kur vdiq i vëllai. I tmerruar nga fjalët që lexoi për veten, ai kuptoi se duhej të ndryshonte sjelljen.
Ju nuk keni pse të prisni ngatërresën e një gazete për të reflektuar: vendosni çfarë do të donit të thuhej në nekrologjinë tuaj dhe jetoni në atë mënyrë që ta meritoni atë.
Madhështia nuk vjen nga grumbullimi i parasë së madhe, famës së madhe apo pushtetit të madh. Kur ndihmon dikë, në cilëndo nga mijëra mënyrat, ke ndihmuar botën.
Mirësia nuk kushton asgjë, por ka vlerë të paçmuar. Në qofshi besimtarë apo jo, vështirë të gjeni diçka më të mirë se “Rregulli i Artë” si udhërrëfyes për sjelljen tuaj.
I shkruaj këto fjalë si dikush që ka qenë shumë herë i pakujdesshëm dhe ka bërë gabime të panumërta, por që ka pasur fatin të mësojë nga miq të mrekullueshëm se si të sillet më mirë (pa e arritur ende përsosmërinë, sidoqoftë).
Mos harroni se pastruesja është po aq njeri sa edhe drejtori ekzekutiv i kompanisë.
_______
*) Thomas Mërfi (1925-2022), ishte drejtues ekzekutiv i shquar në fushën e medias dhe komunikacionit.
