Kosovë, Presidenti Thaçi mandaton sot Albin Kurtin kryeministër

exit.al 27 Dhjetor 2019, 09:48

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi do të mandatojë sot për kryeministër Albin Kurtin, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Pas marrjes së mandatimin, Kurti ka të drejtë të formojë qeverinë e tij. Ende nuk dihet se cila parti do të jenë në koalicionin qeverisës.

Deri më tani, media lokale ka raportuar se bisedimet mes LVV e LDK për formimin e qeverisë nuk kanë qenë të suksesshme.

Një ditë më parë, në seancën e konstituimit të parlamentit të ri, LVV propozoi Glauk Konjufcën për kryetar të Kuvendit, i cili edhe u zgjodh më pas me shumicë votash.

Posti i kryeparlamentarit ishte një nga pikat e diskutuara gjatë bisedimeve për marrëveshjen qeverisëse mes LDK-së dhe Vetëvendosjes. Deri në ditët e fundit, ky post mendohej se do t’i jepej Vjosa Osmanit, kandidates së LDK-së për kryeministre.

Duket se ndasia më e madhe mes dy partive ka qenë se kujt i takon posti i presidentit të vendit. Mediat në Kosovë raportojnë se nga LDK-ja është kërkuar që ky post t’i takoj kësaj partie.

Zgjedhjet e 6 tetorit u fituan nga LV me 26.2 për qind. Pas saj u rendit LDK me 24.5 për qind, Partia Demokratike e Hashim Thaçit me 21.2 për qind. Koalicioni i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës së Ramush Haradinajt me Socialdemokratët mori vetëm 11.5 për qind.