Koronavirusi, çdo ditë mijëra persona vijnë nga Italia, rriten masat në Rinas

exit.al 24 Shkurt 2020, 12:02

Çdo ditë hyjnë në Shqipëri nga Italia afërsisht 1500 deri në 3000 persona.

Shumica e tyre vijnë nga veriu i Italisë, zona më e prekur deri tani nga koronavirusi.

Në dy ditët e fundit ka pasur të paktën 28 fluturime direkte nga Italia drejt Shqipërisë.

Shumë prej fluturimeve janë nga zona të prekura nga koronavirusi si Roma me 4-5 fluturime çdo ditë, Milano me 2-4 fluturime çdo ditë, Bolonia, Bergamo, Venecia, Verona.

Ndërsa fluturimet e tjera janë nga Xhenova, Rimini, Firence dhe Bari, ku deri tani nuk kanë asnjë të prekur, por disa prej qyteteve kanë marrë masa parandaluese si mbyllja e universiteteve e shkollave dhe ndalimi i njerëzve në vende publike.

Numri i personave që vijnë nga Italia është më i lartë po të kemi parasysh dhe tragetet që vijnë çdo ditë nga Italia në portet e Durrësit dhe Vlorës.

Deri tani si masë parandaluese, shteti shqiptar ka dyfishuar numrin e mjekëve në aeroport e pika kufitare dhe ka përshtatur ambiente të posaçme intervistimi për personat që vijnë nga shtetet me risk si Kina apo Italia.

Kontrolli i parë bëhet përmes një aparature për matjen e temperatures ndërsa më pas, në rast se personat shfaqin simptoma, ato merren në një ambient të veçantë për analiza të mëtejshme.

Sot në sallën e emergjencave në aeroportin e Rinasit po zhvillohet task-forca për koronavirusin ku pritet të diskutohen masat për t'u mbrojtur nga koronavirusi dhe për të parandaluar hyrjen e individëve të prekur në territorin shqiptar.

Ndërkohë shteti fqinj me Italinë, Austria ka pezulluar të gjithë trenat nga dhe drejt Italisë pas përhapjes së madhe të koronavirusit në Itali.