“Vakancat e krijuara në Gjykatën Kushtetuese janë tepër shqetësuese dhe kanë paralizuar krejtësisht veprimtarinë e këtij institucioni me funksione të rëndësishme kushtetuese për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve kushtetuese dhe interpretimin përfundimtar të kushtetutës, dhe në mënyrë të veçantë për kërkesat për papajtueshmëri të ligjeve me Kushtetutën si dhe ankesat e individëve kundër çdo akti të pushtetit publik ose vendimi gjyqësor që cenon të drejtat dhe liritë kushtetuese.”
Rezultatet e kësaj situate janë ndjerë shumë në emërimin e diskutueshëm të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku, ligjit "special" për Teatrin Kombëtar dhe konfliktit midis Presidentit Ilir Meta dhe Kryeministrit Edi Rama lidhur me dekretimin e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj. Në të gjitha këto raste, Gjykata Kushtetuese nuk mund të luajë asnjë rol, ç’ka ka sjellë dhe konflikt politik. KShH-ja rekomandon veting "të menjëhershëm dhe prioritar" të anëtarve të Këshillit të Emërimeve të Drejtësisë (KED), në mënyrë që gjykatësit e rinj të Gjykatës Kushtetuese të mund të emërohen. Një tjetër problem që ka dalë në pak ditët e fundit lidhur me KED-në, është mungesa e kandidatëve të nevojshëm të kualifikuar për KED-në e vitit 2019, që do të thotë se ligjërisht, KED nuk mund të formohet për vitin 2019. KSHH gjithashtu gjeti disa probleme lidhur me procedurat e vetingut, përfshirë faktin se disa magjistratë nuk morën një vlerësim të plotë për të tre kriteret siç e parashikon Ligji i Vetingut, por u vlerësuan vetëm në bazë të kriterit të pasurisë:“Në rastin e vendimeve të shkarkimeve të deritanishme, është vërejtur në disa prej tyre se KPK ka vendosur të përfundojë procesin e rivlerësimit për subjektin vetëm mbi kriterin e pasurisë, duke mos përfunduar dhe duke mos marrë në konsideratë hetimet mbi kriterin e vlerësimit të figurës dhe atë të aftësive profesionale. Kushtetuta e RSH parashikon që procesi i vettingut kërkon kontroll të të tri komponentët që qëndrojnë në themel të tij.”
Mos-ndjekja e procedurave të duhura mund të çojë në ankimime të panevojshme, thekson KShH-ja, ç’ka do ta ngadalësonin edhe më tej procesin e vetingut: “Mosrealizimi i plotë i vettingut për këto subjekte dhe ndryshimi i vendimmarrjes si rezultat i ushtrimit të së drejtës së ankimit në këto raste, mund të sjellë vonesa dhe zvarritje të procesit.” Së fundi, ndonëse KShH-së vlerëson në tërësi transparencën e përgjithshme të procesit të vetingut, kritikon rolin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), funksionimi i të cilit mbetet i paqartë:“Transparenca e veprimtarisë së Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit është një aspekt i diskutueshëm i procesit, pasi publiku dhe media kufizohet vetëm në marrjen e informacionit gjatë seancës dëgjimore, kur vëzhgues të ONM-së kanë pyetje për subjektet e vettingut.”
Për më tepër, shpesh rekomandimet e ONM-së nuk pasqyrohen në aktgjykimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimeve (KPK):“Në vendimet e deritanishme të KPKsë, të arsyetuara, rezulton që sugjerimet e ONM-së për çështjen nuk reflektohen në vendim. Në këto vendime, vihet re që trupat gjykuese përmendin faktin nëse vëzhguesit e ONM-së kanë paraqitur ose jo sugjerim, por në disa prej tyre32, nuk reflektohet as ky fakt. Në ato raste kur përmendet dhënia e sugjerimeve për çështjen nga vëzhguesit e ONM-së, nuk specifikohet në vendim natyra apo konteksti i sugjerimeve, çka bën që roli dhe kontributi i ONM-së në këtë proces të mos jetë transparent për publikun.”
Shpërndaje te miqtë
