Këshilla e ambasadorit shqiptar, shmangni udhëtimet në Kinë

exit.al 25 Janar 2020, 11:58

Ambasadori i Shqipërisë në Kinë, Selim Belortaja, u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që të shmangin udhëtimet direkte në këtë vend për shkak të përhapjes së koronavirusit. Përmes një postimi në Facebook, Belortaja thotë se:

"Numri faktik i vdekjeve nuk e shfaq mirë potencialin e rrezikut që është pranuar edhe nga Organizata Botërore e Shëndetit dhe që potencialisht mund të përkeqësohet në ditët në vijim.

[...] Kêshilloj fort që, derisa situata te merret plotësisht nën kontroll, udhëtimet dhe kontaktet fizike me Kinën t'i shtyni për më vonë. Ju lutem informohuni sa më mirë e binduni vetë para se t'i hyni një situate me shumë rrezik nga virusi, por edhe të papritur për shkak të kontrolleve të pazakonshme."

Radio e Jashtme e Kinës raportoi sot se janë konfirmuar 1,297 raste të pneumonisë së shkaktuar nga koronavirusi. Gjendja e rëndë e pneumonisë ka shkaktuar 41 të vdekur në provincat Hubei, Hebei e Heilongjiang. Ndërkohë thuhet se 38 persona janë shëruar dhe kanë dalë nga spitali.