KE: Kujdes ligjin anti-shpifje, cënon rrugën drejt BE

exit.al 17 Janar 2019, 11:18

Komisioni Europian shprehet se miratimi i paketës ligjore anti-shpifje për median mund të cenojë rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

“Liria e shprehjes dhe pavarësia e mediave është një element kyç në politikën e zgjerimit të BE-së për mbrojtjen e të drejtave themelore.

Zhvillimet e fundit në Shqipëri në lidhje me kornizën ligjore për komunikimet elektronike dhe mediat audiovizive janë duke u vlerësuar. Është thelbësore që procesi i vazhdueshëm i konsultimeve publike mbi ndryshimet e propozuara të përfshijnë të gjithë aktorët relevantë të medias si dhe partnerët ndërkombëtarë dhe që mendimet e shprehura nga palët e interesuara të ndikuara drejtpërsëdrejti nga propozimet merren parasysh”,  u shpreh Alceo Smerilli, përfaqësuesi i mediave në KE.

Dy projektligjet e reja të medias të propozuara nga Kryeministri Rama parashikojnë regjistrimin e të gjithë mediave online, mbikëqyrjen e materialeve të publikuara në to dhe gjobitjen ose mbylljen në rast së përmbajtja e tyre cilësohet shpifje nga insitucionet përkatëse. Kontrolli do të kryhet nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, AKEP dhe Autoriteti i Medias Audiovizuale (AMA). Për këto propozime ligjore, qeveria ka organizuar deri më tani katër dëgjesa publike pa pjesmarrjen e grupeve të interesit. Asnjëra prej tyre nuk është transmetuar në media. Kjo nismë u kundërshtua dhe OSBE,  e cila e konsideroi si prekje të lirisë së shprehjes, dhe përpjekje për të vënë median nën kontrollin e plotë të qeverisë. Shpërndaje te miqtë