Denoncoi vjedhjen e votave, kërcënohet kandidati për deputet në Fier

exit.al 1 Maj 2021, 13:45

Kandidati për deputet i partisë Aleanca Demokracia e Re, Andi Turhanaj ka bërë kallëzim penal në Policinë e Fierit pasi pretendon se është kërcënuar lidhur me denoncimin që ai kishte bërë për manipulimin e procesit zgjedhor.

Turhanaj është shprehur për “News 24” se ai kishte konstatuar parregullsi që i ishin bërë gjatë procesit të numërimit të votave. Ai ishte zotuar se do t’i shkonte deri në fund zbardhjes së kësaj ngjarjeje.

Por mesditën e së premtes, kandidati për deputet thotë se është ndaluar nga dy persona pranë banesës së tij të cilët e kanë kërcënuar "hiq dorë ose do të zhdukim".

Turhanaj është shprehur se çështjen do ta çojë në prokurori.

Për këtë çështje ka reaguar edhe presidenti Meta i cili ka bërë thirrje që të mbrohen denoncuesit e krimeve zgjedhore.