Johnson kërkon që talibanët të mos njihen si autoritet qeverisës në Afganistan

exit.al 15 Gusht 2021, 21:26

Askush nuk duhet të njohë talibanët si qeveri të Afganistanit, tha kryeministri britanik Boris Johnson të dielën, duke shtuar se ishte e qartë se vendi do të kishte një administratë të re shumë shpejt.

"Ne nuk duam që dikush të njohë në mënyrë bilaterale talebanët," tha Johnson, duke i kërkuar Perëndimit të punojë së bashku për Afganistanin përmes mekanizmave të tillë si Kombet e Bashkuara dhe NATO, raporton Reuters.

Kryeministri britanik kërkoi një qëndrim të bashkuar rreth Afganistanit në mënyrë që të parandalohej krijimi i një “terreni që prodhon terror”

Kryengritësit talebanë hynë të dielën në Kabul, Presidenti Ashraf Ghani u largua nga vendi dhe Ambasada Amerikane tha se aeroporti i kryeqytetit, ku diplomatët, zyrtarët dhe afganët e tjerë kishin ikur, ishte vënë nën zjarr.

I pyetur nëse do të kishte pritur që vendi të binte në duart e talebanëve kaq shpejt, ai u përgjigj:

"Unë mendoj se është e drejtë të thuhet se vendimi i SHBA për t'u tërhequr i ka përshpejtuar gjërat."

Më vete, Rusia tha më herët të dielën se ende nuk i njeh kryengritësit talebanë si autoriteti i ri ligjor i Afganistanit, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve RIA.