Izraeli nuk do të bashkëpunojë me GJNP për krimet në territoret palestineze

exit.al 9 Prill 2021, 10:01

Izraeli nuk do të bashkëpunojë me Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJNP) për hetimin për krime të luftës në territoret e zabtuara palestineze.

Më 9 mars, GJNP-ja u ka dërguar një njoftim Izraelit dhe Autoritetit Palestinez se kanë një muaj kohë për të informuar gjykatësit, nëse po hetojnë krime të ngjashme, me ato që hetohen nga ana e GJNP-së.

Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu nxorri një deklaratë ku njoftonte se qeveria nuk do "të bashkëpunonte" me GJNP-në.

”Izraeli do t'i dërgojë një letër gjykatës, përmes së cilës hedh poshtë plotësisht pretendimin se Izraeli kryen krime lufte", thuhet në njoftim.

Qeveria izraelite kundërshtoi gjithashtu juridiksionin e gjykatës për të hetuar këto krime, duke theksuar se “pret që gjykata të përmbahet nga shkelja e sovranitetit dhe autoritetit të tij"

Në shkurt, GJNP vendosi të pranojë kërkesën e prokurores Fatou Bensouda për të nisur hetim mbi këtë çështje.