Hoti hedh poshtë kritikat: Me Serbinë nuk ka dialog teknik

exit.al 20 Korrik 2020, 09:54

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka hedhur poshtë kritikat për bisedimet Kosovë-Serbi, duke deklaruar se nuk do të ketë dialog teknik, por vetëm marrëveshje politike për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Në një postim në Facebook, Hoti shkroi:

“Nuk ka dialog teknik. Ka dialog vetëm për marrëveshje finale për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në mes të dy vendeve.”

Partia Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, por edhe këshilltarë të presidentit Thaçi kanë kritikuar qasjen e Hotit në takimin me presidentin Vuçiç. Sipas tyre pala serbe ka dominuar bisedimet dhe ka vendosur axhendën e bisedimeve sipas interesit të saj, duke kthyer edhe njëherë bisedimet tek çështjet teknike. Hoti dhe Vuçiç biseduan, në 16 korrik në Bruksel, në një takim ndërmjetësuar nga zyrtari i lartë i Bashkimit Europian, Joseph Borell dhe i dërguari i Posaçëm Miroslav Lajçak. Ky është takimi i parë i drejtpërdrejtë mes dy liderëve të vendeve fqinje pas ndërprerjes së bisedimeve prej thuajse dy vitesh. Për më shumë mbi takimin mund të lexoni këtu. Shpërndaje te miqtë