Haradinaj vazhdon akuzat: Thaçi, Rama, Vuçiç e Çitaku pro ndarjes së Kosovës

exit.al 1 Nëntor 2019, 13:48

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ripërsëriti akuzat se Presidenti i Kosovës Thaçi, Presidenti Serb Vuçiç, Kryeministri i Shqipërisë Rama dhe ambasadorja e Kosovës në SHBA Vlora Çitaku kanë qenë pro shkëmbimit të territoreve mes Kosovës e Serbisë. Teksa ndodhej për homazhe tek shtatorja e Zahir Pajazitit, Hero i Kombit, Zoti Haradinaj deklaroi:

“Plotë zyrtarë të Kosovës që janë rreshtuar pro ndarjes së Kosovës kanë bërë gabim të madh, të gjithë ata që kanë qenë pjesë e saj. Qoftë Hashim Thaçi, Vlora Çitaku, kryeministri Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Është e vërtetë se kanë qenë pjesë e kampanjës për ndarjen e Kosovës në shkëmbim të territoreve. Vlora, presidenti të gjithë kanë përkrahur këtë.”

Ramush Haradinaj, edhe më herët, ka deklaruar se Rama, Thaçi e Vuçiç kanë ideuar dhe mbështetur idenë e shkëmbimit të territoreve si zgjidhje për konfliktin Kosovë-Serbi. Pak ditë më parë, Kryeministri Rama ka deklaruar se do ta padisë për shpifje homologun e tij Haradinaj.