Guvernatori i Bankës, Sejko: Ekonomia ka filluar rimëkëmbjen pas pandemisë

exit.al 5 Maj 2021, 18:13

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genc Sejko, në një konferencë për shtyp deklaroi se aktiviteti ekonomik në vend po njeh rritje dhe vendi ka filluar rimëkëmbjen pas pandemisë.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë shqyrtoi dhe miratoi të mërkurën Raportin e Tremujorit të Politikës Monetare.

"Rritja ekonomike u mbështet nga zgjerimi i konsumit, investimeve dhe eksporteve, dhe u pasqyrua në përmirësimin e aktiviteteve prodhuese dhe atyre të shërbimeve," u shpreh Sejko.

Raporti analizon situatën ekonomike gjatë pandemisë, ku u vërejt tkurrje e aktivitetit ekonomik 3.3% dhe humbje e rreth 43,000 vendeve të punës, përveç një ngadalësim në rritjen e pagave dhe investimeve.

Si pasojë, rimëkëmbja ekonomike mbetet e paplotë, me tregues në "nivelet ende të ulëta të kërkesës agregate, në rënien e punësimit dhe në rritjen e papunësisë."

Sejko theksoi se sektori financiar paraqitet veçanërisht i qëndrueshëm, edhe pas lehtësimit të rregullave nga Banka e Shqipërisë për bankat e nivelit të dytë, duke i mundësuar atyre të ndihmojnë me fleksibilitet bizneset dhe familjet.

"Në muajin mars 2021, treguesi i kredive me probleme zbriti nën nivelin 8%, duke regjistruar vlerën më të ulët të regjistruar prej vitit 2009," shtoi ai.

Sejko tha se projeksionet e Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë mbeten pozitive.

"Vijimi i procesit të vaksinimit në vend dhe në botë, stimuli monetar dhe fiskal, si dhe rikthimi i besimit në nivelet historike, do t’i hapin rrugë zgjerimit progresiv të aktivitetit ekonomik gjatë viteve në vazhdim," pohoi ai.

Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se ecuria e ekonomisë gjatë vitit 2020 pasqyroi fleksibilitetin e ekonomisë shqiptare dhe qëndrueshmërinë e sistemit financiar;  mbështetjen te stimuli monetar, financiar dhe fiskal; si dhe përgjigjen ndaj procesit të vaksinimit.

Rimëkëmbja e plotë e ekonomisë duhet të mbështetet nga stimulimi i politikave ekonomike dhe kryerja e reformave strukturore, vlerëson Sejko.

Reformat, sipas tij, duhet të synojnë "rritjen e konkurrueshmërisë, përmirësimin e mëtejshëm të klimës së investimeve dhe të biznesit, si dhe forcimin afatgjatë të qëndrueshmërisë së financave publike."