Giuseppe Conte zgjidhet kryetar i Lëvizjes 5 Stelle

exit.al 9 Gusht 2021, 11:00

Ish-kryeministri italian Giuseppe Conte u zgjodh kryetar i Lëvizjes 5 Stelle, njoftojnë mediat, më 8 gusht.

Ai u zgjodh të premten  pas një votimi dy-ditor në internet nga anëtarët e partisë, me 93% të votave. Conte ishte kandidati i vetëm për kryetar partie.

Conte, politikani i dytë më popullor i Italisë sipas sondazheve, pas kryeministrit Mario Draghi ka fituar respekt të gjerë pasi përballoi krizën më të keqe të koronavirusit.

Conte, një ish-profesor i drejtësisë i cili më parë nuk kishte asnjë lidhje partiake, ra dakord të merrte drejtimin e 5 Stelle pasi qeveria e tij e koalicionit u rrëzua shtatë muaj më parë dhe ai u zëvendësua nga Draghi.

Atij iu kërkua të merrte këtë post nga Beppe Grillo, i cili themeloi 5-Stelle në 2009 si një lëvizje protestuese kundër pushtetit të partive të vjetra.

Vitet e fundit 5-Stelle gradualisht i braktisi rrënjët e saj anti-establishment dhe u vijëzua si parti e qendres së djathtë.

5-Stelle është grupi më i madh parlamentar pas triumfit të tij në zgjedhjet e vitit 2018 kur mori 32% të votave, por mbështetja e tij ka rënë për shkak të përplasjeve të brendshme dhe ndryshimeve të politikave.