Gara për BKH, 28 kandidatë kalojnë testin e sigurisë

exit.al 1 Prill 2021, 16:14

28 kandidatë për hetues në Byronë Kombëtare të Hetimit kanë përmbushur kushtet e sigurisë dhe janë pranë certifikimit, ka njoftuar vetë institucioni të enjten.

Komisioni i Posaçëm i Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës ka verfikuar 37 kandidatë për hetues prej të cilëve kanë kaluar 28.

Kandidatët e kualifikuar do ti nënshtrohen trajnimit me një sërë modulesh vlerësimi që duhen kaluar përpara se të certifikohen.

BKH njofton se verifikimi i kushteve të sigurisë u zhvillua nën vëzhgimin dhe monitorimin e Komisionit të Pavarur të Rishikimit, të caktuar nga misionet e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian në Shqipëri.

Aktualisht janë edhe 32 pozicione për hetues të paplotësuara nga BKH.