"Ata (Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut) nuk janë ende gati. Ne po u kërkojmë të bëjnë përpjekje shtesë. Negociatat nuk mund të hapen në tetor 2019, kemi nevojë për siguri të tjera diku nga viti 2020".
Bashkimi Evropian do ta diskutojë çështjen e hapjes ose jo të negociatave të martën më 15 tetor në Luksemburg. Më tej liderët e vendeve të BE-së do të mblidhen në Bruksel për të votuar. Votimi duhet të jetë unanim, që do të thotë se qëndrimi i Francës për të shtyrë negociatat vitin tjetër mund ta mbyllë përfundimisht çështjen për këtë vit. Holanda dhe Danimarka kanë qenë gjithashtu kundër Shqipërisë në momentin kur përfaqësuesit e BE-së kanë diskutuar temën e hapjes së negociatave. Burime pranë qeverisë së Holandës, thanë për Exit se "Holanda do ta konsideronte ndryshimin e votës në pro, nëse do të ishte vendi i vetëm kundër negociatave". Por tashmë që Franca e ka deklaruar qëndrimin për t'i shtyrë negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, kjo ka pak gjasa të ndodhë. Lajmi për vendimin e Francës për të shtyrë negociatat u raportua edhe nga gazetarja Erisa Zykaj. Duke folur për ABC News, ajo tha:Burime në France më kanë vënë në dijeni me planin konkret për të mos hapur negociatat këtë vit. Propozimi i Francës mbështetet në dy boshte siç janë respektimi i shtetit të së drejtës dhe lufta ndaj korrupsionit.
Franca pozicionohet kështu në një qëndrim edhe më kritik në raport me Shqipërinë krahasuar me pozicionin që vendosi Gjermania. Kjo e fundit u deklarua pro, por vota e saj ishte e kushtëzuar për vendin tonë me krijimin e Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese dhe miratimi i reformës zgjedhore.
