Fondi për tërmetin, administrata detyrohet të shkojë në koncert solidariteti me bileta 10,000 lekëshe

exit.al 20 Dhjetor 2019, 08:30

Qeveria vazhdon të ushtrojë presion ndaj administratës për të kontribuar në fondin e rindërtimit për pasojat që shkaktoi tërmeti.

Më 20 dhjetor me moton “Ti nuk do jesh kurrë vetëm” organizohet koncert në Parkun Olimpik Tiranë. Organizatorët kanë vendosur që të ardhurat e mbledhura nga çmimi i biletave t’ia kalojnë fondit të rindërtimit të shkollave të rrënuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Çmimi i biletave është 10,000 lekë dhe burime për Exit News thanë se një pjesë e administratës në institucione si Ministria e Bujqësisë, është urdhëruar të shkojë në koncert.

Gjatë ditës së sotme u raportua se në këtë koncert do të marrin pjesë edhe Presidenti i Serbisë Alexandar Vuçiç dhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

[caption id="attachment_66103" align="aligncenter" width="1920"] Bileta 10,000 lekë për koncertin e 20 dhjetorit.[/caption]

Pas tërmetit, qeveria i hoqi administratës shpërblimet e fundvitit. Në media u publikuan shkresa të rrjedhura nga Policia dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit ku punonjësit urdhëroheshin të kontribuonin për fonde. Edhe pse u theksua se kontributet ishin vullnetare, nga policia u mblodhën 850 mijë euro.