Flet vajza dhe babai i gjyqtares Hoxha: E kanë kërcënuar

exit.al 13 Shkurt 2021, 13:30

Familjarët e gjyqtares së Gjykatës së Krujës, të arrestuar dy ditë më parë, kanë folur për median, përpara nisjes së seancës gjyqësore, të shtunën në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion.

Vajza e gjyqtares u shpreh se mamaja e saj është kërcënuar për të liruar nga burgu personat e dënuar.

“Do marrim pjesë në seancën e mamit dhe do dëgjojmë masën e sigurisë së saj, mami është shumë e ndershme dhe e pastër, ka pasur një arsye të fortë për t’i liruar ato. Mund të jetë detyruar për të liruar kriminelët. Po, ka qenë e detyruar për të liruar kriminelët”, u shpreh ajo për Report TV.

Babai i gjyqtares bëri apel për gjykim të drejtë të gjyqtares. Ai tha se 10 mijë eurot e gjetura në shtëpi janë kësti i pagesës për firmën e ndërtimit.

“Ai djali i Enkelejdës është 19 vjet autik dhe ai e di se c’heq i shkreti se nuk del dot, rri me gjyshen që është bërë sa një dorë njeri. Po ta shohësh do thuash ti kjo është gjyqtare e Republikës së Shqipërisë? Fle në 2 divane dërrase, vet jam me parkison dhe vajza fle të këmbët e djalit”, u shpreh babi I gjyqtares.

Ndërsa, avokati i saj Ardian Visha kërkoi arrest në shtëpi për gjyqtaren pasi ka një fëmijë të mitur.

Gjyqtarja Enkeleda Hoxha u arrestua të enjten me akuzën e lirimit të të burgosurve në shkëmbim të shpërblimit me para. Ajo u akuzua për lirimin nga burgu në mënyrë të padrejtë të kriminelëve si Endrit Dokle, Hekuran Billon, Tafilin dhe Pajën.

Shpërndaje te miqtë