Ekonomia shqiptare doli nga komunizmi si një anije e paaftë për të “lundruar” në oqeanin e tregut të lirë, [dhe politikanët shqiptarë] e shitën atë pjesë-pjesë për skrap për t’u pasuruar vetë.
Politikanët shqiptarë nuk u përpoqën ta ndalonin procesin e [emigrimit dhe krimit], por e inkurajuan duke ndërtuar brenda vendit edhe lehtësirat e thithjes së parave të krimit.
Pastrimi i parave ndërtoi një ekonomi që nuk u rrit gradualisht […] duke nënkuptuar para të pista në duar njerëzish të paditur, të pamoralshëm, që duan t’i shndërrojnë ato sa më shpejt në pasuri të patundshme.
Ky njeri [trafikantëve të bërë biznesmenë] sot ka hyrë e po bën politikë duke e tjetërsuar atë përditë e më shumë nga shërbim ndaj shoqërisë në punë të pistë për t’u pasuruar.
Për të krijuar një ekonomi të shëndoshë, Lubonja shprehet se nuk mjaftojnë vetëm denoncimet e opozitës "se me paratë e krimit vidhet vota" apo deklaratat "në mënyrë superficiale se me ardhjen e saj në pushtet, edhe do të eliminojë krimin, edhe do të dyfishojë apo trefishojë rrogat e mjekëve apo rrogat e pensionet minimale". Por, opozita duhet të hapë “një kantieri idesh, me të gjithë njerëzit me përvojë dhe vullnet të mirë që e njohin dhe ndjejnë problemin për ndërtimin e vizionit të një Shqipërie alternative ndaj Shqipërisë inkubator të krimit që kemi sot, me idenë se po qe se njerëzit do të bëhen pjesë e këtij procesi, herët ose vonë kjo do t’i çojë te thirrja “Shteti jemi ne!” (kundër shtetit të krimit)”. [...] Ajo duhet "të ndërtojë (e përsëris: së bashku me njerëzit) projektin sesi do të mund të arrihet të sigurohen këto të ardhura nëpërmjet një ekonomie të ndershme e të qëndrueshme, që do të zëvendësojë ekonominë kriminale". Shpërndaje te miqtë
