
Kur planifikohet një rrugë, hidrocentral, fabrikë, ndërtesë që mund të prekë mjedisin, qytetarët nuk duhet të marrin vesh për të vetëm pasi kanë filluar punimet.
Duhet të dinë çfarë propozohet, ku do të ndërtohet, çfarë dëmesh mund t’i shkatohen mjedisit dhe çfarë masash parashikohen për të shmangur ose pakësuar këto dëme.
Ata kanë të drejtë të shohin dokumentet, të bëjnë pyetje, të paraqesin kundërshtime dhe të japin propozime përpara se të merret vendimi për lejimin apo jo të zhvillimit.
Nëse këto mundësi u mohohen, mund të ankohen te institucionet përgjegjëse dhe në gjykatë.
Këto të drejta burojnë nga Konventa e Aarhusit, e ratifikuar nga Shqipëria në vitin 2000, si edhe nga legjislacioni shqiptar.
Tri të drejtat e Konventës: e drejta për të ditur, për t’u dëgjuar dhe për t’u ankuar
Konventa e Aarhusit e trajton mbrojtjen e mjedisit si një të drejtë qytetare. Në thelb, ajo garanton tri të drejta për qytetarët:
1. Të drejtën për informacion mjedisor. Qytetarët kanë të drejtë t’u kërkojnë institucioneve të dhëna për cilësinë e ajrit, ujit dhe tokës, ndotjen, mbetjet, kontrollin e veprimtarive ndotëse dhe projektet që mund të prekin mjedisin. Qeveria ka përcaktuar në mënyrë të detajuar si mund të merret informacioni mjedisor nga çdo qytetar, pa qenë e nevojshme që ai apo ajo të ketë interes direkt personal apo ekonomik.
2. Të drejtën për të marrë pjesë në vendimmarrje. Qytetarët kanë të drejtë të informohen, të shprehin mendimin e tyre dhe të paraqesin propozime për projektet, planet dhe programet që mund të kenë ndikim mjedis. Kjo pjesëmarrje duhet të ndodhë përpara marrjes së vendimit, kur projekti ende mund të ndryshohet. Rregullat per informimin dhe pjesëmarrjen janë rregulluar gjithashtu me vendim qeverie.
3. Të drejtën për të kërkuar drejtësi. Kur qytetarëve u refuzohet informacioni, u pengohet pjesëmarrja ose një vendim me ndikim në mjedis merret në kundërshtim me ligjin, ata dhe organizatat e shoqërisë civile kanë të drejtë ta kundërshtojnë atë dhe t’i drejtohen gjykatës. Qasja në drejtësi ka rëndësi të veçantë garanton dy të drejtat e mësipërme.
Si vlerësohen ndikimet në mjedis
Ndikimi i mundshëm i një zhvillimi apo projekti në mjedis analizohet përmes një procesi formal që quhet vlerësimi i ndikimit në mjedis, i njohur shkurt si VNM.
Ky vlerësim shqyrton si një projekt apo zhvillim mund të ndryshojë natyrën, ajrin, ujin dhe njerëzit. Ai bëhet para se të merret vendimi për lejimin apo jo të projektit.
Ligji shqiptar parashikon dy procedura: VNM-në paraprake dhe VNM-në e thelluar.
Vlerësimi paraprak shqyrton ndikimet e mundshme të projektit dhe ndihmon për të vendosur nëse nevojitet një vlerësim i thelluar. Disa kategori projektesh, për shkak të ndikimit që mund të kenë, i nënshtrohen drejtpërdrejt vlerësimit të thelluar.
Ky lloj vlerësimi shqyrton më gjerësisht ndikimet mbi mjedisin dhe komunitetin, zgjidhjet e tjera të mundshme dhe masat që duhen marrë për të shmangur ose pakësuar dëmin.
Ky vlerësim u paraqitet qytetarëve në degjesat publike dhe është i domosdoshëm për marrjen e lejes së mjedisit për të gjitha ndërhyrjet që kërkojnë leje të tillë.
Çfarë e bën të vlefshme një dëgjesë publike?
Një mbledhje, një prezantim apo një bisedë me disa banorë nuk është dëgjesë publike në kuptimin ligjor.
Që pjesëmarrja të jetë e vërtetë, duhen respektuar një sërë hapash fromalë që janë rregulluar me ligj dhe me vendime qeverie.
Njoftimi duhet të bëhet në kohë
Publiku duhet të njoftohet përpara zhvillimit të dëgjesës dhe në një fazë kur projekti ende mund të ndryshohet.
Njoftimi duhet të tregojë qartë:
— çfarë propozohet dhe ku do të zbatohet projekti;
— ku mund të gjenden dokumentet;
— si dhe deri kur mund të dërgohen komentet;
— datën, orën dhe vendin e dëgjesës.
Njoftimi duhet të shpërndahet gjerwsisht në zonën që mund të preket nga projekti. Ai duhet të afishohet pranë vendit të projektit dhe në zyrat vendore, si edhe të publikohet në internet dhe në mediat lokale.
Nuk mjafton që njoftimi të vendoset në një pjesë pak të dukshme të faqes së ndonjë institucioni.
Dokumentet duhet të jenë të kuptueshme
Qytetarëve duhet t’u jepet kohë e mjaftueshme për t’i lexuar materialet dhe për të përgatitur pyetjet.
Dokumentet duhet të shpjegojnë:
— përshkrimin, qëllimin dhe vendndodhjen e projektit;
— përmbledhjen joteknike të raportit të ndikimit në mjedis (VNM-së)
— pasojat e mundshme mbi ajrin, ujin, tokën, natyrën, shëndetin dhe jetën e komunitetit;
— alternativat e tjera që janë shqyrtuar;
— masat e propozuara për të shmangur ose pakësuar dëmët në mjedis.
Informacioni duhet të shkruhet në një gjuhë të kuptueshme edhe për njerëzit që nuk janë specialistë.
Publikimi i qindra faqeve me terma teknikë, pa një përmbledhje të qartë, nuk e ndihmon publikun të kuptojë projektin dhe pasojat e tij.
Dëgjesa duhet të zhvillohet pranë komunitetit
Takimi duhet të mbahet në një vend të arritshëm nga qytetarët e zonë së prekur, pra, sa më pranë zonës që mund të preket.
Në të duhet të marrin pjesë përfaqësuesit e projektit, ekspertët që kanë përgatitur studimin, përfaqësuesit e institucioneve përgjegjëse dhe të pushtetit vendor, si edhe qytetarët dhe grupet e interesuara.
Pjesëmarrësit duhet të kenë mundësi të bëjnë pyetje, të kundërshtojnë përfundimet e studimit dhe të propozojnë zgjidhje të tjera.
Nuk është e domosdoshme që çdo qytetar të marrë pjesë fizikisht në takim. Mendimet mund të dërgohen edhe me shkrim ose elektronikisht, brenda afatit të njoftuar.
Komentet duhet të dokumentohen dhe të marrin përgjigje
Pyetjet, kundërshtimet dhe propozimet e publikut duhet të shënohen dhe të ruhen si pjesë e procesit.
Përgatitësit e projektit dhe institucioni që merr vendimin duhet të tregojnë se si i kanë trajtuar ato. Nëse një kërkesë nuk pranohet, duhet të shpjegohet arsyeja.
Ligji nuk kërkon që çdo propozim i qytetarëve të pranohet. Ai kërkon që mendimet e tyre të dëgjohen, të shqyrtohen seriozisht dhe të marrin një përgjigje të arsyetuar.
Çfarë bëhet kur këto të drejta shkelen
Nëse publiku njoftohet pasi janë marrë vendimet kryesore, ose nuk i jepet kohë e mjaftueshme të lexojë dokumentet e projektit apo nuk merr përgjigje për shqetësimet e ngritura, dëgjesa rrezikon të jetë vetëm një formalitet sipërfaqësor dhe në kundërshtim me frymën e ligjit.
Në këto raste, Konventa dhe ligjet e tjera u japin qytetarëve një sërë të drejtash për të kërkuar drejtësi.
Kur atyre u refuzohet informacioni ose nuk marrin përgjigje brenda afatit, ata mund të ankohen për shkeljen e së drejtës së informimit.
Kur nuk respektohen rregullat e konsultimit, ata mund të kundërshtojnë si procedurën e ndjekur, ashtu edhe vendimin përfundimtar.
Sipas rastit, ankimi mund të bëhet fillimisht te institucioni përgjegjës dhe më pas në gjykatën administrative.
Qytetarët dhe organizatat mjedisore mund të kërkojnë edhe pezullimin e vendimit, për të parandaluar një dëm që më vonë mund të jetë i vështirë ose i pamundur të ndreqet.
Për këtë arsye, është e rëndësishme të ruhen kërkesat për informacion, përgjigjet e institucioneve, njoftimet, komentet e dërguara dhe çdo dokument tjetër që tregon se si është zhvilluar procesi.
Pse ka rëndësi pjesëmarrja e hershme
Pjesëmarrja nuk ka kuptim kur fadromat kanë hyrë në kantier dhe të gjitha zgjedhjet janë mbyllur. Qytetarët duhet të përfshihen kur projekti mund ende të ndryshohet, të zhvendoset ose të mos miratohet.
Shqipëria është gjetur më parë në shkelje të Konventës për mënyrën se si u zhvillua vendimmarrja për parkun industrial dhe energjetik në zonën e Vlorës. Një nga problemet e evidentuara ishte përfshirja e pamjaftueshme e publikut në fazat e hershme.
Ky rast tregon se një takim i vonuar nuk e riparon një proces në të cilin vendimet kryesore janë marrë më parë. Dëgjimi i publikut duhet të ketë mundësi të ndikojë në rezultat; përndryshe mbetet vetëm një ushtrim formal.
Thelbi i Konventës së Aarhusit është i thjeshtë: mjedisi nuk është vetëm çështje ekspertësh, kompanish dhe institucionesh.
Njerëzit që do të jetojnë me pasojat e një projekti kanë të drejtë të dinë çfarë propozohet, të flasin përpara se vendimi të merret dhe të kërkojnë drejtësi kur rregullat nuk respektohen.
Shpërndaje te miqtë
