Xhamia e qendra kulturore 13-katëshe propozuar nga komuniteti shqiptar në Londër ndez debat

Stafi i Exit.al 8 Gusht 2026, 11:37

Komuniteti Mysliman Shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar kërkon të zëvendësojë godinën ekzistuese në Kilburn me një qendër fetare, kulturore dhe komunitare. Përmasat e projektit dhe afërsia me një kishë baptiste kanë shkaktuar kundërshtime.

Xhamia e qendra kulturore 13-katëshe propozuar nga komuniteti shqiptar
Një qendër fetare dhe kulturore 13-katëshe, për t’i shërbyer komunitetit mysliman shqiptar në Londër, është propozuar të ndërtohet në zonën Kilburn, në pjesën veriperëndimore të kryeqytetit britanik.

Projekti parashikon shembjen e ndërtesës ekzistuese dykatëshe të Qendrës së Komunitetit Mysliman dhe Kulturor Shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar dhe ndërtimin, në vend të saj, të një godine shumëfunksionale.

Ajo do të përfshijë një xhami, një qendër komunitare, hapësira tregtare për kafene dhe restorante, si dhe zyra.

Hapësirat publike dhe fetare do të vendosen kryesisht nga kati përdhes deri në katin e pestë, ndërsa katet e sipërme janë menduar për zyra.

Projekti është hartuar nga studioja londineze Ayad Al-tuhafi Architects.

Qendra ndodhet në një truall prej rreth 513 metrash katrorë. Ndërtesa ekzistuese ka shërbyer si klub, përpara se të blihej nga komuniteti shqiptar në vitin 2009.

Organizata Komuniteti Mysliman dhe Kulturor Shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar është krijuar në vitin 1996 dhe ofron shërbime fetare, arsimore e sociale për komunitetin në zonën Kilburn të Londrës.

Në dokumentet mbështetëse argumentohet se godina ekzistuese nuk ka hapësira dhe depo të mjaftueshme dhe se nuk ofron kushte të përshtatshme apo siguri të mjaftueshme për përdoruesit.

Megjithatë, lartësia prej 13 katesh ka nxitur kundërshtime, veçanërisht për shkak të ndikimit të mundshëm mbi trafikun, parkimin dhe ndërtesat përreth.

Pranë truallit ndodhet kisha baptiste West Kilburn Baptist Church dhe ndërtesa e propozuar pritet ta dominojë atë vizualisht.

diskutimet mediatike të nxitura nga projekti, ndërtesa është përshkruar si një “mega-xhami” dhe janë ngritur pikëpyetje për nevojën e një objekti të këtyre përmasave. Është pretenduar se brenda një rrezeje prej tre miljesh ndodhen rreth 15 xhami të tjera.

Ndonëse kërkesa për leje ndërtimi është paraqitur në vitin 2023 dhe ende nuk ka një vendim nga autoritetet vendore, çështja ka marrë vëmendje publike pas nisjes, disa javë më parë, të konsultimit me banorët e zonës.

 

 

Shpërndaje te miqtë