Von der Lejen në Tiranë, ndërsa Brukseli përgatitet të miratojë afatin e Ramës për vitin 2027

Bledar M. Kurti 27 Shtator 2026, 10:43

Komisioni pritet të mbështesë zyrtarisht objektivin e qeverisë për mbylljen e negociatave, por me një listë kushtesh

Von der Lejen në Tiranë, ndërsa Brukseli përgatitet të

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Lejen, vjen të mërkurën në Tiranë, vetëm pak javë përpara se Brukseli të mbështesë zyrtarisht objektivin e qeverisë për mbylljen e negociatave të anëtarësimit brenda vitit 2027.

Në Tiranë, ajo do të takohet me Presidentin Bajram Begaj dhe me Kryeministrin Edi Rama, njoftoi zëdhënësi i Komisionit, Olof Xhill, në një konferencë për shtyp në Bruksel.

Vizita përkon me hartimin nga Komisioni të një udhërrëfyesi për Shqipërinë. Sipas burimeve nga institucionet europiane të cituara nga Euronews, dokumenti do të njohë synimin e qeverisë shqiptare për të mbyllur të gjithë kapitujt deri në dhjetor 2027.

Kjo do të ishte një ndryshim qëndrimi për Brukselin. Prej muajsh, Rama dhe ministrat e tij e kanë paraqitur 2027-ën si një afat të rënë dakord me Komisionin. Ndonëse Komisioni e ka mbështetur këtë ambicie, deri tani ai nuk është angazhuar për ndonjë datë, duke këmbëngulur se zgjerimi bazohet te meritat.

Në korrik, Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se "zgjerimi nuk funksionon me data", por shtoi se sa më shumë një vend i afrohet fundit të procesit teknik, aq më konkrete bëhen afatet.

Në fjalimin për Gjendjen e Bashkimit këtë muaj, von der Leyen informoi se Komisioni do të propozojë së shpejti udhërrëfyes "për kandidatët që kanë përparuar më shumë", duke përmendur Ukrainën, Moldavinë dhe Ballkanin Perëndimor.

Udhërrëfyesit do të publikohen në fund të tetorit, së bashku me paketën vjetore të zgjerimit. Ata pritet të përcaktojnë afate orientuese, e ngjashme me strategjinë e vitit 2002, e cila hapi rrugën për zgjerimin e madh të vitit 2004.

Një datë, por me listë detyrash

Mbështetja nuk do të jetë pa kushte. Komisioni po përgatit raportin e vlerësimit të kritereve të mbylljes, i cili do të gjykojë nëse Shqipëria i ka përmbushur kërkesat për shtetin e së drejtës dhe për fushat e tjera themelore.

Raportit do t'i bashkëngjitet një listë me reformat dhe rezultatet që Tirana duhet të japë ende.

Brukseli ka ndjekur të njëjtën metodë me Malin e Zi. Një zyrtar europian i tha Euronews se Komisioni synon ta përsërisë atë.

Sa peshë do të kenë në këtë listë reforma në drejtësi, rezultatet kundër korrupsionit dhe pavarësia e institucioneve, kjo do të tregojë nëse vitit 2027 është një afat realistik apo thjesht një datë në letër për të mbështetur propagandën se integrimi po ecën përpara.

Turne rajonal

Pas Tiranës, të enjten von der Lejen do të shkojë në Prishtinë, ku do të takohet me Presidenten në detyrë Albulena Haxhiu dhe me Kryeministrin Albin Kurti.

Më pas ajo do të vizitojë Podgoricën për takime me Presidentin Jakov Milatoviç dhe Kryeministrin Milojko Spajiç, për ta përfunduar në Shkup ku do të takohet me Kryeminsitrin Miçkoski.

Kjo është vizita e gjashtë radhazi e von der Lejen në rajon.

Serbia dhe Bosnja shtyhen

Serbia dhe Bosnje-Hercegovina mungojnë nga axhenda e von der Lejenit. Komisioni njoftoi se ajo do t'i vizitojë këto vende më vonë, për shkak se ato janë aktualisht në prag të zgjedhjeve. Serbia do të mbajë zgjedhjet parlamentare më 25 tetor.

Kjo shtyrje vjen pas disa javësh tensioni mes Brukselit dhe Beogradit në lidhje më nderimet për Ratko Mlladiqin, komandantin serb të Bosnjës gjatë luftës, të dënuar për gjenocid. Mlladiqi vdiq në Hagë më 27 gusht, ndërsa po vuante dënimin me burgim të përjetshëm.

Ministri serb i Drejtësisë dhe presidenti i Republikës Srpska morën pjesë në ceremoninë përkujtimore për të në Shtëpinë e Ushtrisë në Beograd, pronë e shtetit. Mijëra vetë ndoqën varrimin e tij më 7 shtator, ceremoni e drejtuar nga Patriarku Porfirije.

Kos i kishte cilësuar ditët para varrimit si një provë të rëndësishme për Beogradin, ndërsa Presidenti serb Aleksandar Vuçiç i quajti deklaratat e saj "budallallëqe".

 

 

Shpërndaje te miqtë