Vdekja e Res Publica-s: Kur shteti shndërrohet në shpërndarës privilegjesh private

Adri Nurellari 29 Gusht 2026, 16:57

Vdekja e Res Publica-s: Kur shteti shndërrohet në

Prej rreth një jave, nafta në Shqipëri po tregtohet me 219 lekë për litër, ose afërsisht 2,3 euro.

Është 41% më e shtrenjtë se në Maqedoninë e Veriut, një vend që, ndryshe nga Shqipëria, as prodhon naftë dhe as ka dalje në det e porte për ta importuar drejtpërdrejt.

Po gjatë kësaj jave u bë lajm i bujshëm në media fakti që superjahti Deep Blue, me vlerë mbi 400 milionë euro, u furnizua në Durrës me rreth 300 mijë litra karburant me tarifë të privilegjuar.

Sipas një përjashtimi të posaçëm të vendosur nga qeveria për mjetet turistike detare, këto jahte paguajnë vetëm 0.4 euro për litër tatim ndërsa qytetarët tatohen 2.9 herë më shumë. Për rrjedhojë jahtet e blejnë me vetëm rreth 1 euro për litër, ose rreth 2.3 herë më lirë se qytetarët e zakonshëm shqiptarë.

Qytetari shqiptar e ka të ardhurën mesatare rreth 14 mijë euro në vit. Pronari i jahtit të mësipërm është Richard Liu, pasuria personale e të cilit llogaritet mbi 4,5 miliardë euro.

Shteti shqiptar, me politikën e tij, i kurseu miliarderit kinez pothuajse 400 mijë euro.

Rasti i tij nuk është i vetmi. Më herët është raportuar se në Shqipëri janë furnizuar edhe jahti i miliarderit gjerman Reinhold Würth dhe ai i Xhef Bezosit, me pasuri personale 280 miliardë dollarë (sa prodhimi i Shqipërisë në 15 vjetët e fundit).

Me pak fjalë, ne subvencionojmë miliarderët e botës, ndërsa dërrmojmë me taksa qytetarët e thjeshtë që shkojnë në punë, fermerët që punojnë tokën dhe transportin e industrinë që punojnë me karburant.

Lehtësimi i karburantit për superjahtet, ndërsa qytetarët dhe sektorët prodhues paguajnë barrën e plotë, shtrembëron tregun dhe favorizon konsumin elitar në dëm të prodhimit.

Parimet e tregut të lirë dhe të konkurrencës së ndershme këshillojnë taksa të ulëta dhe të barabarta, pa përjashtime të personalizuara.

Por edhe nëse shteti vendos të ofrojë lehtësi fiskale, ato mund të justifikohen vetëm kur kanë efekt shumëfishues, duke nxitur kërkesën, prodhimin dhe punësimin vendas.

Ulja e kostove për një fabrikë, fermer, përpunues ushqimor apo kompani transporti mund të justifikohet kur mund të krijojë vende pune, eksporte dhe vlerë të shtuar; furnizimi i një superjahti me karburant të lirë mbetet një transaksion i çastit, pa asnjë ndikim në ekonomi.

Çështja e privilegjimit të jahteve të njerëzve më të pasur të botës, përballë qytetarëve ndër më të varfrit në Europë që paguajnë ndër çmimet më të larta të naftës, është ndoshta shembulli më pikant, por jo i vetmi, i politikës së mbrapshtë të qeverisë sonë.

Në fakt, favorizimi i të fuqishmëve dhe transferimi i kostove te më të dobëtit është kthyer në modelin kryesor ekonomik të qeverisë në të gjithë sektorët e ekonomisë.

Kështu, qeveria jep leje të personalizuara dhe favore fiskale për resorte në zona të mbrojtura natyrore mbi tokë të grabitur, por i prish pronën dhunshëm qytetarit të thjeshtë të Thethit kur ndërton një kasolle druri në tokën e të parëve të tij.

Ndërtuesit e mëdhenj, një pjesë kriminelë të dënuar, marrin trajtim të veçantë për të ngritur kulla kudo në bregdet dhe në mes të Tiranës, shpesh duke ndryshuar për ta planet urbane të miratuara më parë nga qeveria; ndërkohë, qytetarët e zakonshëm hasin një mijë pengesa për një leje ndërtimi për të bërë ndryshime minimale në shtëpitë e tyre.

Komplekset luksoze në bregdet, të ndërtuara mbi prona publike ose me status të diskutueshëm juridik, legalizohen me procedura të përshpejtuara dhe vendime të posaçme, ndërkohë që familje të zakonshme presin prej dekadash legalizimin e shtëpive të ndërtuara me kursimet e tyre.

Në njërin krah kemi biznese të mëdha, madje edhe institucione shtetërore, me miliona lekë borxhe, të cilave nuk ua ndërpret askush energjinë; në krahun tjetër, qytetari i pambrojtur mbetet në errësirë për disa fatura të papaguara.

Kur biznesmenë të mëdhenj kanë probleme me kredinë, borxhi u “ristrukturohet”, kushtet u “rinegociohen” dhe afatet u shtyhen. Kur një familje e zakonshme vonon këstin e kredisë së shtëpisë, i dërgohet menjëherë përmbarimi.

Koncesionet, shpesh të dhëna me gara false të paracaktuara, u garantojnë fitime të sigurta biznesmenëve më të mëdhenj të vendit pa asnjë lloj risku, ndërsa, edhe kur keqmenaxhojnë këto koncesione, pagesat u garantohen nga shteti dhe faturën përfundimtare e paguajnë qytetarët.

Ndërkohë që spitalet rajonale mbeten të pafinancuara, koncesionet shëndetësore u kanë siguruar të ardhura të garantuara sipërmarrësve të lidhur me qeverinë, pa asnjë kontroll mbi cilësinë dhe rezultatet e tyre.

Ndërkohë, paratë publike orientohen drejt infrastrukturës që u shërben resorteve luksoze, ndërsa shumë komunitete rurale mbeten pa rrugë, pa ura apo linja transporti publik.

Të gjithë këta shembuj nuk janë vetëm shtrembërim i tregut dhe orientim joefikas ekonomik i burimeve publike.

Në thelb, ato janë shtrembërim i vetë qëllimit dhe karakterit të shtetit si res publica: “gjë publike”, shtet për të gjithë, dhe jo res privata, pronë private e të fuqishmëve.

Para së gjithash, ato dhunojnë parimin kushtetues të barazisë përpara ligjit, që përbën thelbin moral të shtetit të së drejtës.

Por ato janë edhe tjetërsim i funksionit të shtetit. Shteti shqiptar ka braktisur rolin e vet si garant i së mirës së përbashkët dhe është kthyer në shpërndarës privilegjesh për një pakicë.

Është shkelje e rëndë e marrëdhënies së qytetarit me shtetin, e kontratës sociale. Qytetarët ia dorëzojnë shtetit një pjesë të lirisë dhe pasurisë së tyre në këmbim të drejtësisë, mbrojtjes dhe shërbimeve publike. Por shteti nuk mund ta përdorë këtë pushtet dhe privilegj për t’u shërbyer vetëm pakicave të pasura.

Në një kuptim, ky model na kthen te rendi paramodern, kur pushteti përcaktonte se kush pasurohej përmes shpërndarjes së titujve, tokave, licencave, monopoleve dhe privilegjeve ekskluzive.

Moderniteti ekonomik evropian lindi pikërisht nga kufizimi i kësaj fuqie arbitrare dhe nga zëvendësimi i favorit të sundimtarit me barazinë përpara ligjit, pronën e sigurt dhe konkurrencën e hapur.

Një shtet që favorizon të fuqishmin dhe rëndon të dobëtin nuk është vetëm i padrejtë, por bëhet shkatërrimtar për etikën kolektive dhe moralin e shoqërisë. Njerëzit nuk shohin më vlerë te përpjekja, ndershmëria dhe kontributi publik, por vetëm te lidhjet, forca dhe mashtrimi si rrugë drejt suksesit.

Për ta përmbledhur: kjo nuk është thjesht një histori mbi llogaritë e karburantit, por diagnoza e një shteti që ka përmbysur prioritetet e tij, duke ndëshkuar qytetarin që punon dhe duke ledhatuar elitën kalimtare të super të pasurve, por thjesht një kastë që ka humbur referencat bazike morale.

Është koha të kërkojmë rikthimin te një shtet që nuk i shërben luksit të pakicës, por i qëndron besnik kontratës me qytetarët, duke garantuar drejtësi, konkurrencë të ndershme, barazi përpara ligjit dhe mbrojtje për më të pambrojturit. Përndryshe, ky është fundi i res publica-s dhe lindja e një res privata-s të përqendruar në pak duar.

Shpërndaje te miqtë