Uashingtoni dhe Brukseli kthehen kundër Ramës pasi dhuna dhe gazi lotsjellës në Tiranë shembën fasadën demokratike

Bledar M. Kurti 25 Tetor 2026, 11:13

Uashingtoni dhe Brukseli kthehen kundër Ramës pasi dhuna dhe gazi
Për vite me radhë Edi Rama është kujdesur shumë të krijojë portretin e tij në kancelaritë perëndimore si një politikan-artist reformator, jo skematik dhe plot ngjyra.

Sot, reportazhet nga Tirana tregojnë një kryeministër tjetër nga ai që i prezantohej dikur publikut të huaj.

Protestat, dhuna e policisë ndaj studentëve dhe era e gazit lotsjellës tashmë kanë shkuar përtej kufijve të Shqipërisë, duke kaluar edhe oqeanin dhe duke rrëzuar fasadën e një regjimi demokratik. Ato kanë treguar figurën e një autoritari, që qeveris pa llogaridhënie, që dhunon përmes policisë njerëzit në rrugë.

Ngjarjet në Tiranë po thyejnë përfundimisht digën e heshtjes diplomatike si në Uashington ashtu edhe në Bruksel, duke provokuar një valë të paprecedent reagimesh që kanë grisur portretin e politikanit artist e liberal.

Si rrallë herë, disa ditë protesta në Tiranë kanë nxitur një zinxhir reagimesh që nuk kishte ndodhur për dekada për një vend kaq të vogël dhe periferik si Shqipëria.

Uashingtoni dhe Brukseli kthehen kundër Ramës pasi dhuna dhe gazi
Janë të paktën 8 senatorë dhe kongresmenë amerikanë deri tani, e po kaq eurodeputetë që së bashku kanë artikuluar më qartë dhe më thjeshtë sevetë kryeministri shkaqet e asaj që po ndodh në Shqipëri duke vendosur gishtin te qeverisja dhe represioni.

Ankthi i diasporës së fuqishme shqiptaro-amerikane për sigurinë e familjarëve në atdhe ka mbërritur deri në korridoret e Kongresit Amerikan.

Përfaqësuesja progresiste e Nju Jorkut në Kongres, Alexandria Ocasio-Cortez, ishte zëri i fundit që foli të enjten dhe iu drejtua qeverisë shqiptare me një thirrje direkte:

“Gjatë javës së fundit kam marrë mesazhe nga anëtarë të komunitetit shqiptar që janë të shqetësuar për sigurinë e familjarëve të tyre. Po i bëj thirrje qeverisë shqiptare të ulë tensionet, të ndalë represionin e dhunshëm ndaj protestuesve dhe të respektojë lirinë e shprehjes së shqiptarëve.”

Nga Miçigani, një tjetër qendër e madhe e emigracionit shqiptar, ligjvënësja Elissa Slotkin nënvizoi detyrimin që ka një shtet aleat për të ruajtur standardet e mbrojtjes së qytetarëve:

“Gjatë ditëve të fundit kam marrë një sërë telefonatash nga qytetarë të Miçiganit të shqetësuar lidhur me dhunën në rritje në Shqipëri, si dhe në vende të tjera evropiane. Populli shqiptar ka të drejtën të protestojë paqësisht dhe t’i mbajë përgjegjës zyrtarët e zgjedhur. Po ashtu, qeveria shqiptare ka detyrimin të respektojë shtetin e së drejtës, të mbrojë protestuesit nga përdorimi i tepruar i forcës nga policia, të pastrojë korrupsionin dhe t’u përgjigjet shqetësimeve të qytetarëve. U bëj thirrje të dyja palëve të bëjnë gjithçka që munden për të ulur tensionet dhe për të gjetur një rrugë paqësore përpara.”

Në të njëjtën linjë, edhe senatori Gary Peters.

“Jam thellësisht i shqetësuar nga situata e përshkallëzuar në Shqipëri. Autoritetet vendase duhet të përmbahen nga dhuna ndaj protestuesve paqësorë dhe të gjithë ata që janë në terren duhet të punojnë për të ulur tensionet dhe për të parandaluar dhunën e mëtejshme. Miçigani është shtëpia e një komuniteti të fortë dhe të gjallë shqiptaro-amerikan, dhe e di se këto zhvillime janë shumë personale për shumë qytetarë të Miçiganit. Populli shqiptar meriton një qeveri që respekton të drejtat e tyre themelore dhe që mbron shtetin e së drejtës. Prandaj unë do të vazhdoj të mbroj paqen dhe drejtësinë për të gjithë shqiptarët.”

Për Senatorin Chris Murphy, reagimi ndërkombëtar duhet të adresojë edhe arsyet strukturore të krizës, duke përfshirë projektet e diskutueshme për resorte luksoze në zonat e mbrojtura natyrore:

“Unë mbështes fort të drejtën e shqiptarëve për të protestuar, por protesta e tyre duhet të jetë paqësore. Aktet e fundit të dhunës po bëjnë që situata të dalë jashtë kontrollit, dhe si udhëheqësit e protestave, ashtu edhe qeveria shqiptare duhet të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të ulur tensionet. Sapo dhuna të ndalet, vëmendja mund të kthehet te kërkesat legjitime të protestuesve, përfshirë rishqyrtimin e projektit të kontestuar të zhvillimit në zonën e Vjosë-Nartës, të mbështetur nga familjet Kushner dhe Trump.”

Kongresmeni Robert Aderholt rikujtoi rëndësinë e llogaridhënies institucionale brenda një vendi anëtar të NATO-s:

“Jam thellësisht i shqetësuar nga trazirat në rritje në aleatin tonë të NATO-s, Shqipërinë. Populli shqiptar meriton shtetin e së drejtës, institucione që japin llogari dhe lirinë për të ngritur zërin e tij. Të gjitha palët duhet të heqin dorë nga dhuna, dhe qeveria duhet të respektojë të drejtat e protestuesve paqësorë. Të rinjtë e Shqipërisë meritojnë të kenë zë në formësimin e së ardhmes së kombit të tyre.”

Përfaqësuesi Keith Self e sheh këtë shpërthim si pasojë direkte të lodhjes qytetare nga korrupsioni sistematik:

“Protestat në Shqipëri janë tregues i mungesës së besimit të popullit ndaj politikanëve të korruptuar dhe i lodhjes nga shpërfillja e plotë e shtetit të së drejtës. Udhëheqësit e Shqipërisë duhet të dëgjojnë thirrjet për ndryshime thelbësore që do të sjellin mundësi ekonomike dhe që do të forcojnë stabilitetin rajonal.”

Mbi rëndësinë e të drejtave të gjeneratës së re u ndal edhe Kongresmeni Joe Wilson:

“Po e ndjek me shqetësim të madh krizën në rritje në aleaten e NATO-s, Shqipërinë. Populli shqiptar meriton liri, shtet të së drejtës dhe llogaridhënie institucionale. Qeveria duhet të përmbahet nga çdo lloj dhune ndaj protestuesve. Të rinjtë meritojnë të kenë zë në të ardhmen e vendit të tyre.”

Ndërsa Kongresmeni Ritchie Torres dënoi hapur mjetet e përdorura nga policia shqiptare në protestë.

“Jam thellësisht i shqetësuar nga shpërthimi i dhunës ndaj protestuesve në Shqipëri. Veprimet e ndërmarra nga policia shqiptare janë të papranueshme dhe duhet të ndalen. Shqiptarët kanë të drejtë të protestojnë paqësisht, policia duhet të respektojë të drejtën e protestuesve për të protestuar dhe duhet të mbrojë shtetin e së drejtës. Situata duhet të ulë tensionet për të qetësuar dhunën shqetësuese.”

Në Bruksel reagimet janë po aq të forta si ndaj qeverisë shqiptare dhe ndaj vetë institucioneve europiane. Zërat kritikë në Parlamentin Europian akuzojnë lidershipin e BE-së se po mbyll sytë përpara autokracisë në emër të stabilitetit rajonal.

Në mënyrë të drejtpërdrejtë, eurodeputetja Terry Reintke kritikoi ashpër heshtjen e Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj të fundit zyrtare në Tiranë:

“Është e papranueshme që presidentja e Komisionit të shkojë në Shqipëri pa adresuar protestat masive që po vazhdojnë prej më shumë se 130 ditësh. Shqipëria është shembulli kryesor, ku miliona njerëz jashtë BE-së po luftojnë për vlerat evropiane, kundër korrupsionit dhe për një të ardhme më të mirë. Heshtja nuk është një opsion. BE-ja duhet të zgjerohet, por duhet të mbrojë vlerat e vërteta evropiane kudo që njerëzit rrezikojnë gjithçka për t’i mbrojtur ato.”

Eurodeputetja holandeze Anna Strolenberg mbajti një fjalim të fortë dhe emocional, duke shprehur zhgënjimin për qasjen selektive të Komisionit për të mbrojtur parimet europiane dhe mos dënuar dhunën në Shqipëri:

“Shqipëria e shqiptarëve. Shqipëria e shqiptarëve dhe jo Shqipëria e Edi Ramës dhe e të pasurve. Çdo ditë më vijnë pamje të cilave nuk mund t’ua kthej shpinën. Protestues të qëlluar me plumba gome, fëmijë të rrahur dhe të arrestuar. E gjitha kjo sepse Edi Rama nuk dëgjon dhe nuk pranon të ndryshojë. Më vjen turp që BE-ja dënoi vetëm dhunën e disa protestuesve të dhunshëm, por nuk dënoi dhunën e tepruar të policisë ndaj shumicës së protestuesve paqësorë. Ne flasim për vlerat, por nuk bëjmë asgjë kur ato vlera shkelen. Njerëzit mund t’i falin armiqtë e tyre, por nuk do ta falin një mik që i braktis. Ne kemi mjete ndikimi, sepse Shqipëria dëshiron të bëhet pjesë e BE-së dhe qeveria e saj duhet të ndërmarrë ndryshime, të luftojë korrupsionin, të reformojë policinë dhe të mbrojë qytetarët e saj.”

Andreas Schieder, Raportuesi i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, bëri një thirrje emergjente për të ndalur përshkallëzimin e dhunës ndaj një lëvizjeje që pasqyron kërkesat e rinisë në mbarë kontinentin:

“Në të gjithë Europën, të rinjtë po dalin në rrugë, nga Parisi dhe Berlini deri në Tiranë. Ata po luftojnë për arsim më të mirë dhe mundësi të barabarta për të gjithë. Kjo është e drejtë dhe e nevojshme, dhe duhet t’i nxisë qeveritë të rishikojnë qasjen e tyre. Arsimi është investimi ynë më i rëndësishëm për të ardhmen dhe nuk duhet të varet kurrë nga mundësitë financiare të prindërve. Megjithatë, dhuna nuk është kurrë zgjidhje, pavarësisht nëse vjen nga individë të dhunshëm që depërtojnë në protesta apo nga shteti dhe policia. Si raportues i Parlamentit Europian për Shqipërinë, jam veçanërisht i shqetësuar për situatën në Tiranë dhe bëj thirrje për ndalimin e menjëhershëm të përshkallëzimit.”

Bashkëkryetari i të Gjelbërve Europianë, Thomas Waitz, rrëzoi narrativën e qeverisë shqiptare se protestat janë produkt i axhendave të huaja ose ekstremizmit, duke sulmuar kërcënimet e Ramës për sanksione administrative ndaj studentëve:

“Më lejoni ta sqaroj: Protesta për institucione që janë të aftë e të gatshëm të luftojnë korrupsionin është pro-europiane. Protesta për një arsim cilësor është pro-europiane. Dhe protesta për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore të Shqipërisë është gjithashtu pro-europiane. Pas 13 vitesh në pushtet, Edi Rama u thotë protestuesve se ata janë ‘ekstremistë në duar të huaja’ dhe kërcënon se do të anulojë bursat e arsimin falas. Ai po qëllon me gaz lotsjellës, me topa uji protestuesit dhe po ndalon të mitur. Kjo nuk është absolutisht në përputhje me vlerat europiane. Të gjithë duam ta shohim Shqipërinë në Bashkimin Europian si një shtet të së drejtës, si një shtet që respekton të drejtat e qytetarëve, që mbron zonat natyrore dhe që dëgjon qytetarët e vet e respekton të drejtën e tyre për të demonstruar. Kjo është rruga europiane dhe shpresojmë që Shqipëria të bëhet gati për të.”

Eurodeputeti bullgar Andrey Kovatchev nënvizoi se procesi i integrimit nuk mund të ndahet nga standardet e lirisë për të protestuar, llogaridhënies publike dhe luftës ndaj korrupsionit endemik:

“Të rinjtë e Shqipërisë kërkojnë më shumë sesa premtime: ata duan llogaridhënie, fundin e korrupsionit dhe një të ardhme evropiane të ndërtuar mbi demokracinë dhe sundimin e ligjit. Zërat e tyre duhet të dëgjohen, shqetësimet e tyre duhet të merren seriozisht dhe e drejta e tyre për të sfiduar në mënyrë paqësore ata që janë në pushtet të mbrohet. Liria e tubimit dhe e shprehjes duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore. Dhuna është e papranueshme, qoftë nga protestuesit apo nga forcat e rendit, dhe të gjitha akuzat duhet të hetohen me proces të rregullt dhe llogaridhënie. Evropa dëshiron të mirëpresë një Shqipëri të përkushtuar ndaj vlerave tona evropiane.”

Mbi qëndresën e gjatë qytetare u ndal edhe eurodeputetja franceze Emma Fourreau, e cila e ka ndjekur nga afër atë që njihet si lëvizja mjedisore kundër projekteve luksoze të mbështetura nga Xhared Kushner dhe Ivanka Tramp:

“Prej më shumë se 140 ditësh, populli shqiptar na bën këtë demonstrim: injorimi i kërkesave të popullit nuk e bën atë të kthehet në shtëpi! Mbështetje për të rinjtë e mobilizuar në mbarë botën përballë represionit!”.

Eurodeputetja franceze ka qenë një mbështetëse e atij që u quajt si Revolucioni i Flamingove. Ajo ishte në Shqipëri edhe në muajin korrik ku pati deklaruar se “populli shqiptar është ngritur kundër projektit anti mjedisor të financuar nga familja Trump dhe kundër korrupsionit të qeverisë socialiste të Edi Ramës”.

Eurodeputeti Michael Gahler, duke kujtuar eksperiencat e tij në monitorimin e proceseve zgjedhore në Shqipëri, artikuloi faktin se protestat janë pasojë e problemeve që lindin si pasojë e lidhjeve okulte me krimin e organizuar:

“Duke qenë në krye të delegacionit të PE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe duke dëshmuar lidhjet midis shtetit, partisë në pushtet dhe krimit të organizuar, e shoh se sa gjatë kanë protestuar qytetarët kundër korrupsionit dhe qeverisë, duke ngritur shqetësime që prekin thelbin e perspektivës së integrimit evropian të Shqipërisë.”

Përshkallëzimi i dhunës, sidomos ai ndaj protestuesve ka detyruar edhe Partinë Popullore Evropiane (PPE / EPP) — grupin më të madh politik në Europë — të dalë me një qëndrim zyrtar institucional, duke kërkuar dialog të menjëhershëm dhe hetim të pavarur të përdorimit të forcës:

“E drejta për protestë paqësore duhet të respektohet plotësisht. Çdo pretendim për përdorim të tepruar, të paligjshëm dhe joproporcional të forcës duhet të hetohet menjëherë, tërësisht dhe në mënyrë të pavarur, ndërsa organet e zbatimit të ligjit duhet të veprojnë gjithmonë në mënyrë proporcionale. E ardhmja e Shqipërisë qëndron në një rrugë demokratike, të begatë dhe evropiane, me një qeveri llogaridhënëse, sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe një të ardhme me mundësi brenda vendit. Çdo dhunë e paligjshme dhe sulm nga të gjitha anët, veçanërisht ndaj pronës dhe integritetit personal, nuk ka vend në demokraci, ndërsa tensionet aktuale duhet të adresohen përmes dialogut, uljes së tensioneve dhe angazhimit demokratik. Zëri i të rinjve duhet të dëgjohet dhe e drejta e tyre për të protestuar paqësisht duhet të mbrohet.”

Këto reagime tregojnë se senatorët e kongresmenët amerikanë në Uashington dhe eurodeputetët në Bruksel i kanë shumë të qarta arsyet e revoltës në Shqipëri. Ata e kanë kuptuar se ka një thyerje të kontratës sociale në një vend ku pabarazia ekonomike ka arritur nivele kritike dhe ku qytetarët ndiejnë se pasuritë publike dhe natyrore po tjetërsohen pa transparencë dhe pa llogaridhënie.

Nëse kryeministri Rama flet për ideologji Antifa dhe komplot ndërkombëtar, është e trishtë që problemet reale të shqiptarëve t’i kuptojnë më mirë ndërkombëtarët.

Pyetja e vërtetë nuk është më nëse qeveria mund t’i injorojë dhe dhunojë protestuesit, por nëse ajo mund t’i rezistojë izolimit ndërkombëtar që rrezikon t’i trokasë në derë.

Shpërndaje te miqtë