
Një foto e një kutie plot me tufa eurosh ka rrjedhur nga dosja hetimore e SPAK ndaj Belinda Ballukut.
Foto tregon tufa me kartëmonedha 50-euroshe, të futura në një kuti të kuqe, që sipas prokurorëve është bërë në vilën që i atribuohet Belinda Ballukut, në kompleksin “White Rocks” në Dhërmi.
Exit.al e ka parë dosjen e SPAK dhe foton që gjendet në të.
Këtë javë Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet ndaj Belinda Ballukut dhe një numri zyrtarësh të tjerë publikë e biznesmenësh që akuzohen së bashku me të, për një numër çështjesh nga koha kur Balluku drejtonte Albcontrolin dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Ndaj Belinda Ballukut janë ngritur pesë akuza të rënda kriminale, përfshirë ato për korrupsion, fshehje pasurie, pastrim parash dhe favorizim në tendera publikë.

Prokurorët e paraqesin foton në dosje si pjesë të provave që vërtetojnë pronësinë e fshehur të vilës në Dhërmi, që sipas hetimit përdorej nga ish-zëvendëskryeministrja.
Në dosje nuk jepet vlera totale e eurove në kuti.
Vila në Dhërmi është njëra nga dy vilat në bregdetin jugor të Shqipërisë që prokurorët i konsiderojnë si pasuri të fshehura të Ballukut, të përfituara, sipas SPAK, përmes korrupsionit.
Prokurorët nuk kanë gjetur fizikisht kutinë me para në vilë, por fotografinë e saj në telefonin e sekuestruar të bashkëshortit të pastrueses së ish-zëvendëskryeministres.
Sipas dokumenteve, fotografia u dërgua prej tij si mesazh përmes WhatsApp në mëngjesin e 17 korrikut 2021.
Ajo tregon një kuti të kuqe me tufa kartëmonedhash 50-euroshe, të lidhura me llastik.
Prokuroria e Posaçme shkruan në dokument se kutia duket se është në ambientet e vilës F6, në kompleksin “White Rocks”.
Vila dykatëshe 103 metra katrorë, me truall prej të paktën 300 metrash katrorë, vlerësohet nga SPAK se ka një vlerë prej 720 mijë eurosh.
Prokuroria thotë se Balluku e ka përdorur atë nga qershori i vitit 2019 deri të paktën në shkurt-mars të këtij viti, përpara se vila të vihej nën sekuestro.
Formalisht vila rezulton në emër të ish-futbollistit Igli Tare.
Komunikimet e ish-vartësve të Ballukut, të shoferit dhe të punonjësve të pastrimit të saj e quanin ndërtesën “vila e shefes”. SPAK thotë se telefoni i Ballukut është lokalizuar në zonën e kompleksit në vitet 2024, 2025 dhe 2026.
Sipas SPAK, vila është marrë si ryshfet nga kompania Eurocol, pasi Balluku, kur drejtonte shoqërinë shtetërore Albcontrol, e favorizoi atë për të marrë një tender publik.
Gjykata e Apelit të Posaçëm e la në fuqi sekuestron, edhe pse Tare e kundërshtoi si pronar. Tare është vetë nën hetim për pastrim parash në këtë çështje.
Shpërndaje te miqtë
