Transkripti i bisedës së Ivanka Tramp për David Senrën për Sazanin

Stafi i Exit 4 Qershor 2026, 05:36

Tema e parë e bisedës që trajton Ivanka Tramp është ivestimi i supozuar i saj në Sazan

Transkripti i bisedës së Ivanka Tramp për David Senrën

Më poshtë është një transkript i (pjesës) së intervistës së Ivanka Tramp dhënë dy ditë më parë në podkastin Themeluesit të David Senrës.

 

Ivanka Trump: Jam rikthyer te rrënjët e mia në fushën e pasurive të paluajtshme, gjë që ka qenë shumë argëtuese, dhe po punoj me bashkëshortin tim për një projekt të jashtëzakonshëm në Mesdhe. Është... është gjigant në përmasa.

David Senra: Mendoj se ky është nënvlerësim [për përmasat e projektit] A mund ta shpjegosh? Në këtë ishull nuk ka energji elektrike dhe po ndërtoni gjithçka nga e para, apo jo?

Ivanka Trump: [Shmang përgjigjen direkte] Është një ishull privat jashtëzakonisht i bukur, me sipërfaqe prej 1,400 hektarësh, në mes të Mesdheut. Ishim në jahtin e një miku dhe ndaluam për të notuar — praktikisht kështu e gjetëm. Notuam deri në ishull, ecëm këmbëzbathur deri në majë. Dhe mbetëm të magjepsur. Na mbeti në mendje në rrjedhën e disa viteve krijuam mundësitë për të ndihmuar në realizimin e potencialit të tij dhe për ta transformuar.

Por duke vepruar në mënyrë të përmbajtur dhe të kujdesshme, sepse terreni është aq i bukur sa arkitektura duhet të integrohet plotësisht në të, pothuajse të duket sikur është zgjatim i tij.

E di që për mua kjo nuk është as biznes, pavarësisht përmasave të projektit. Ne nuk kemi vetëm ishullin, por edhe 5 milje vijë bregdetare, përballë tij, një gadishull i mrekullueshëm me një lagunë në njërën anë dhe detin në anën tjetër, me plazhe të bukura me rërë të bardhë.

Unë e ndjej këtë më shumë si një sfidë sesa çdo gjë tjetër — kulmimi i gjithë përvojës sime në pasuritë e paluajtshme, i të gjitha udhëtimeve të mia dhe i shumë reflektimeve mbi mënyrën se si dua të jetoj dhe si unë mendoj se njerëzit po duan gjithnjë e më shumë të jetojnë. Po përpiqemi të ndërtojmë diçka që është një manifestim i prekshëm i kësaj ideje.

Kjo kërkon vizion dhe bashkëpunimin e disa prej mjeshtërve më të mëdhenj që ekzistojnë. Isha atje, eca nëpër terren, duke përpjekur të shkrihesha me të, thjesht ta përjetoja vendin, së bashku me disa nga arkitektët më të mëdhenj të kohës sonë — mjeshtër të vërtetë të profesionit të tyre, njerëz me integritet absolut saqë nuk bëjnë asnjë kompromis. Dhe pikërisht diçka të tillë duam të krijojmë atje. Prandaj jemi shumë të emocionuar.

David Senra: Çfarë do të thotë kjo, “njerëz me integritet aq të plotë sa nuk bëjnë kompromis”? E ke fjalën për vizionin e tyre?

Ivanka Trump: Kur punon me artistë të vërtetë, pavarësisht lëndës së tyre — qoftë pëlhura e piktorit, apo pasuritë të paluajtshme, një shtëpi apo muzika — ata nuk bëjnë kompromis. Integriteti i tyre është aq i rreptë dhe absolut sa ata do ta stërmundojnë veten dhe do të stërmunojnë të gjithë ata me të cilët punojnë.

...Dhe pikërisht atëherë arrin te diçka me vlerë, e kupton? Sigurisht që ka një proces të vazhdueshëm diskutimi dhe balancimi kur punon me një arkitekt. Përveç rasteve kur po ndërton një monument, arkitekti krijon një hapësirë me të cilën njerëzit duhet të ndërveprojnë. Jo thjesht ta vëzhgojnë si një pikturë, por të jetojnë në të. Të martohen në të, nëse është hotel. Të jetojnë në të, nëse është shtëpia e tyre.

Prandaj ekzistojnë elemente funksionale që duhen marrë parasysh. Për mua nuk ka asgjë më të shëmtuar sesa një hapësirë e bukur, por jofunksionale. Një gjë e tillë nuk është kryevepër, sepse nuk është menduar deri në fund.

Kur kombinon diçka arkitektonikisht domethënëse, të bukur dhe të ndërtuar me qëllim të qartë, me një hapësirë shumë funksionale, krijon diçka të veçantë. Një nga gjërat që dua më shumë te pasuritë e paluajtshme është se ato janë të prekshme, në një botë ku gjithçka po bëhet gjithnjë e më pak e tillë. Ti e sheh me sy rezultatin e viteve të punës. Dhe për t'i dhënë jetë një projekti duhen vite, ndonjëherë më shumë se një dekadë.

David Senra: Duhet të jetë edhe një ndjesi e bukur, sepse shumë nga ndërtesat me të cilat ke qenë e përfshirë, përfshirë këtë projekt të ri, je e vetëdijshme se ato do të mbijetojnë më gjatë se sa vetë ti.

Ivanka Trump: Oh, po.

David Senra: Ndërton diçka që e di se do të zgjasë më shumë se jeta jote.

Ivanka Trump: Një nga gjërat që dua më shumë është pikërisht kjo. Kam punuar në shumë projekte të jashtëzakonshme. Ndërtesa e vjetër e Postës në Uashington D.C. ishte, në një farë mënyre, “bebja” ime. Ne e siguruam atë ndërtesë të mrekullueshme të ndërtuar në vitet 1890-të, e restauruam me shumë dashuri dhe i dhamë një funksion të ri për kohët moderne. Ishte praktikisht një zyrë postare e rrënuar, ndërsa sot është një hotel urban shumë i suksesshëm. [Shënim: I referohet ndërtesës të marrë me qira nga qeveria amerikane në vitin 2013, të cilën Trump Organization e rindërtoi dhe ktheu në Hotelin Trump International]

Ishte një projekt i jashtëzakonshëm që kërkoi një periudhë shumë të gjatë për t'u realizuar. Dhe ky është vetëm një shembull. Por ajo që më pëlqen më shumë nuk është vetëm ta shohësh dhe ta përjetosh atë, duke kujtuar çdo vendim të marrë gjatë procesit të projektimit dhe zhvillimit—ajo që më pëlqen është kur njerëzit më ndalojnë dhe më tregojnë historinë e pagëzimit të një fëmije në një nga sallat e hotelit, apo të dasmës së vajzës së tyre. Momente të rëndësishme të jetës që ata kanë zgjedhur t'i përjetojnë në një hapësirë që unë kam konceptuar së bashku me shumë njerëz të talentuar.

Për mua kjo është diçka vërtet e bukur. Është një nga aspektet më të veçanta të të qenit ndërtues. Ti ndërton skenën ku zhvillohen jetët e njerëzve dhe ku realizohen ëndrrat e tyre.

Dhe kjo është ajo që do të bëjmë me këtë projekt, në Sazan.