
Presidenti amerikan Donald Tramp njoftoi të premten se ka arritur një marrëveshje me presidentin rus Vladimir Putin: Rusia do të hedhë në treg miliona tonë naftë të rafinuar dhe, si shpërblim, Thesari amerikan pezulloi dje deri më 7 prill 2027 sanksionet amerikane ndaj naftës me origjinë ruse.
Tramp e paraqiti këtë marrëveshje si fitore për xhepin e amerikanëve. Por në Uashington, marrëveshja po lexohet ndryshe: si pranim i heshtur se lufta me Iranin po i kushton shtrenjtë presidentit amerikan dhe tani ai po kërkon shpëtim te njeriu që po bën luftën e tij në Evropë.
Lufta që i zbrazi xhepat amerikanëve
Rrënja e krizës është në Gjirin Persik. Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën luftën kundër Iranit më 28 shkurt. Si kundërpërgjigje, Irani bllokoi Ngushticën e Hormuzit, ku kalon thuajse një e katërta e gjithë tregtisë botërore të naftës.
Çmimet e naftës dhe nënprodukteve të saj u ngritën menjëherë kudo në botë.
Për amerikanët, që e kanë makinën mjet jetese dhe janë mësuar me karburant të lirë, goditja ishte e fortë: benzina u rrit mesatarisht në rreth 1,18 dollarë për litër, nga rreth 0,84 dollarë një vit më parë, ose mbi 40% më shtrenjtë.
Goditjet ukrainase ndaj rafinerive ruse e rënduan më shumë situatën, por shkaku parësor ishte lufta ndaj Iranit.
Tramp premtoi në fillim se lufta do të zgjaste vetëm disa javë. Tani ajo është në muajin e tetë.
Kundërshtimi u bë zemërim kur preku xhepin
Shumica e amerikanëve nuk e donin këtë luftë që në fillim dhe, me kalimin e muajve, qëndrimi u ashpërsua. Sondazhet tregojnë një lidhje të qartë: ata që e ndiejnë më shumë rritjen e çmimeve janë edhe më shumë kundër luftës.
Në verë, rreth gjashtë në dhjetë votues e kundërshtonin luftën, dy të tretat mendonin se nuk ia vlente dhe shumica e fajësonte drejtpërdrejt Trampin për shtrenjtimin e benzinës.
Këtë javë, sipas Qendrës Pew, një nga institutet më të besueshme të sondazheve në SHBA, rreth dy të tretat e amerikanëve nuk e miratojnë mënyrën si Tramp e ka drejtuar luftën dhe pakënaqësia po rritet edhe mes republikanëve.
Prandaj marrëveshja me Putinin mbart një ironi të hidhur që Demokratët e thonë hapur: presidenti po i paguan Rusisë naftë për të zbutur çmimet që i shkaktoi lufta e tij.
Ndërkohë politikanët nga të dy krahët e quajtën vendimin shumë të pamatur, sepse paratë do të shkojnë për armët që Moska përdor kundër Ukrainës.
Krahu antiluftë që e solli Trampin në pushtet
Lëvizja e tij MAGA u ndërtua mbi idenë Amerika e Para (America First): mjaft luftërave në vende të largëta pas dy dekadash në Irak dhe Afganistan.
Fitorja e tij erdhi në një masë të madhe falë këtij premtimi.
Lufta me Iranin e ka kthyer një pjesë të këtij krahu kundër tij.
Ish-anëtarja e Kongresit Marxhëri Tejlër Grin e akuzoi Trampin se kishte braktisur premtimin për “asnjë luftë të re”, ndërsa zëra të fuqishëm të mediave konservatore, si Taker Karlsën dhe Megan Kelli, u kthyen në kritikë të ashpër të luftës.
Votuesit e thjeshtë në pjesën më të madhe i qëndruan besnikë Trampit, por entuziazmi i tyre po shuhet pikërisht tani kur ka më shumë rëndësi.
Më 3 nëntor amerikanët do të votojnë në zgjedhjet e mesmandatit, ku rizgjidhet e gjithë Dhoma e Përfaqësuesve dhe një e treta e Senatit.
Sipas Reuters/Ipsos, vetëm 30% e mbështetësve të Trampit janë entuziastë për të dalë në votim, kundrejt 48% të demokratëve.
I kapur mes dy krahësh
Rreth tre javë para zgjedhjeve, marrëveshja me Putinin e ka vendosur Trampin mes dy zjarreve brenda bazës së tij.
Krahu antiluftë e sheh si zgjidhje të gabuar për një problem që nuk duhej krijuar. Krahu tradicional republikan, që e sheh Rusinë si kundërshtar dhe mbështet Ukrainën, e sheh si dhuratë për Kremlinin.
Senatori Xhon Kenedi e quajti Putinin “kasap”, senatorja Liza Murkovski i kujtoi presidentit ligjin e ri të sanksioneve kundër Rusisë që ai vetë e nënshkroi tre javë më parë, ndërsa kongresmeni Don Bejkën tha se blerja e karburantit rus është përgjigje e gabuar sepse do ndihmojë luftën e Putinit në Ukrainë.
Këto kundërshti vijnë në kushtet kur nuk ka asnjë siguri se ditën e zgjedhjeve Trampit do t’i dalin llogaritë që ka bërë me marrëveshjen me Putinin.
Një sondazh i publikuar dje nga Politico tregon se shumica e amerikanëve nuk do të votonin për republikanët edhe sikur sikur çmimi i naftës të ulej me një dollar apo të përundonte lufta me Iranin.
Ndërkohë, Tramp e ka drejtuar zemërimin e tij drejt Kievit, duke deklaruar se Ukraina ka nevojë për president të ri.
Mesazhi për Ukrainën është se kostoja e luftës së Amerikës në Lindjen e Mesme po paguhet duke shkelur mbi interesat e Ukrainës.
Tramp premtoi t’i mbante amerikanët larg luftërave të huaja. Tani, për të paguar faturën e njërës prej tyre, po i kërkon ndihmë njeriut që zhvillon tjetrën.
Shpërndaje te miqtë
