Tjetër goditje për Zvërnecin / Marta Kos mesazh të prerë Tiranës: Të shfuqizohet Ligji për Zonat e Mbrojtura!

Stafi i theExit 25 Gusht 2026, 20:01

Tjetër goditje për Zvërnecin / Marta Kos mesazh të
Çështja e mbrojtjes së mjedisit dhe investimeve strategjike në Shqipëri ka kapërcyer prej muajsh kufijtë e një debati të brendshëm politik, duke u kthyer në një ndër pikat më të nxehta të marrëdhënieve mes Tiranës dhe Brukselit.

Pavarësisht dashamirësisë së burokratëve të Komisionit Evropian, të cilët mbyllën për gati dy vjet njërin sy përballë ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura, çështja tani ka kaluar në një nivel tjetër debati dhe presioni mbi qeverinë shqiptare është duke u rritur.

Shkak i këtij ndryshimi muajt e fundit ishte protesta masive në rrugët e Tiranës, e cila zgjoi edhe Brukselin — fillimisht Parlamentin e më pas Komisionin Evropian — për detyrimet që Shqipëria duhet të përmbushë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.

Këtë nuk e fshehu as deklarata e fundit e Komisioneres së BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, e cila i dërgoi një mesazh të qartë qeverisë shqiptare se kuadri ligjor për Zonat e Mbrojtura duhet të rishikohet për t'u harmonizuar plotësisht me standardet evropiane.

Pas një letre zyrtare dhe pyetjeve të drejtuara nga 11 anëtarë të Parlamentit Evropian, të cilët ngritën shqetësimin për cenimin e ekosistemeve bregdetare në Shqipëri, Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, bëri me dije qëndrimin zyrtar të Komisionit Evropian, sipas të cilit Shqipëria duhet të shfuqizojë ndryshimet e vitit 2024 të ligjit për Zonat e Mbrojtura përpara se të mund të përmbyllë negociatat për Kapitullin 27 (Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike).

“Shqipëria të dëshmojë kapacitet të mjaftueshëm për menaxhimin e zonave të ardhshme Natura 2000 dhe të sigurojë masa efektive për ruajtjen e tyre, duke parandaluar përkeqësimin e habitateve dhe të gjendjes së specieve”, shkruan Komisionerja në përgjigjen e saj për eurodeputetët.

Zonja Kos nënvizoi gjithashtu se asnjë projekt zhvillimor nuk mund të tejkalojë direktivat mjedisore të BE-së dhe se çdo investim duhet t'i nënshtrohet vlerësimeve strikte dhe transparente.

“Ky projekt, ashtu si të gjitha projektet në zhvillim në Shqipëri, do të duhet të jetë në përputhje me kushtet e përcaktuara në kuadër të Kapitullit 27”, deklaron Kos.

Këto qëndrime, pavarësisht se nuk e përmendin specifikisht me emër, hedhin dyshime të forta mbi realizimin e projektit të Zvërnecit në të ardhmen e afërt, pavarësisht asaj që këmbëngul Kryeministri Edi Rama. Mosreflektimi ndaj kërkesave të BE-së rrezikon jo vetëm bllokimin e kapitujve specifikë të negociatave, por edhe ngrirjen ose pezullimin e fondit evropian për zhvillim (si grantet e Planit të Rritjes dhe fondet IPA).

Përplasja institucionale e ka zanafillën në ndryshimet ligjore të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë në pranverën e vitit 2024, të cilat ndryshuan rrënjësisht filozofinë e mbrojtjes së territorit. Amendamentet e reja i dhanë të drejtë Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (KKTU) që të miratojë projekte me interes strategjik apo turistik brenda hapësirave që më parë gëzonin mbrojtje ligjore.

Asokohe, kritikët dhe organizatat mjedisore ngritën shqetësimin se ky ligj i zhvesh bashkitë dhe agjencitë e mbrojtjes së mjedisit nga të gjitha kompetencat që gëzonin deri atëherë, duke e centralizuar vendimmarrjen tërësisht në duart e qeverisë qendrore.

OJF-të vendase dhe ndërkombëtare e kundërshtuan fort ligjin e ri dhe organizuan një valë protestash. Por ato që bënë ndryshimin e madh ishin protestat që shpërthyen në fund të majit të këtij viti pas rrethimit me tela me gjemba në Zvërnec, e që kulmuan me atë që tani quhet si "Revolucioni i Flamingove".

Ndryshimet ligjore tani shihen qartë jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj si një kostum i qepur me porosi për projekte të caktuara të investitorëve të huaj — si rasti i grupit të zhvilluesve të udhëhequr nga Jared Kushner — apo investitorëve privatë shqiptarë.

Projekti i Zvërnecit është shembulli tipik ku, përmes lidhjes së ngjarjeve dhe datave, kuptohet se qeveria shqiptare ka punuar për të favorizuar një grup sipërmarrësish në kurriz të mbrojtjes së pasurive natyrore të vendit — në këtë rast në një nga zonat më të brishta dhe më të rëndësishme ekologjike, pjesë e peizazhit të mbrojtur Nartë-Vjosë.

Projekti, i cili parashikon investime luksoze me ndërtimin e komplekseve hoteliere, vilave të banimit, fushave të golfit dhe një marine jahtesh, është kundërshtuar sepse do të shkatërronte ekosistemin e një zone delikate dhe të virgjër në lagunën ku flamingot kishin gjetur habitatin e tyre për shumim.

Edhe pse qeveria e mbrojti projektin si një "rilindje spektakolare" të turizmit elitor dhe zhvillimit ekonomik të vendit, aktivistët, deputetët e Parlamentit Evropian dhe në fund vetë strukturat e Komisionit në Bruksel u zgjuan, duke e konsideruar atë si një projekt që shkatërron përgjithmonë pasuritë natyrore të vendit.

Shpërndaje te miqtë