
"Shqipëri e Re" me këto thirrje protestuesit dalin çdo mbrëmje përpara Kryeministrisë dhe në rrugët e Tiranës.
Protestat kundër qeverisë së Edi Ramës kanë nisur si kundërshtim ndaj një projekti të madh turistik në një zonë të mbrojtur, në Zvërnec, por janë shndërruar në një revoltë më të gjerë ndaj qeverisë dhe Kryeministrit shqiptar për mënyrën se si po ndryshon vendi.
Prestigjiozja britanike “The Guardian”, i ka kushtuar një reportazh të gjatë historisë së Zvërnecit dhe protestave mbi tremujore, pjesë e serisë “On the Ground”, në të cilin gazetari Matthew Cassel shkon në terren për të kuptuar pse mijëra shqiptarë po protestojnë dhe çfarë fshihet pas zemërimit për ndërtimet, zhvillimin e bregdetit dhe projektet e mëdha turistike. Në reportazhin e tij, gazetari i The Guardian ka shkuar kudo dhe ka intervistuar protestues, banorë të ndryshëm kudo ka ku shkelur, biznesmenë dhe banorë të Zvërnecit, për tokën ku parashikohet të ndërtojë Kushner dhe për konfliktin që ata kanë për pronësinë.
Kundërshtimi ndaj projektit të Kushner
Gazetari thotë se shkëndija e protestave ishte projekti i madh turistik i lidhur me Jared Kushner dhe Ivanka Trump në një zonë të mbrojtur.
Duke intervistuar në mbrëmje protestuesit ata i shprehen se nuk janë kundër investimeve të huaja, por kundër mënyrës se si po jepen tokat dhe hapësirat publike, pa transparencë.
“Ky nuk është më një protestë. Kjo është një rezistencë, sepse nuk duam që toka dhe zonat e mbrojtura të shiten për fitim”, thotë një prej protestuesve në reportazh. Sipas tij, hapësirat publike po pakësohen dhe vendi po humbet atë që i përket të gjithëve.
Shqipëria që ndërtohet me shpejtësi
Në Tiranë, gazetari vëren se ndërtimet janë të pranishme kudo.
“Kur kalon nëpër Tiranë, mund të shohësh kudo projekte ndërtimi. Është një shenjë e asaj se sa shumë po ndërtohet”, thotë ai.
Një çift i ri që jeton në kryeqytet tregon se si zona ku banojnë ka ndryshuar në vetëm pak vite.
“Për 10 vjet kam parë Tiranën të ndryshojë nga të pasurit disa hapësira publike në të mos pasurit pothuajse fare. Dhe kjo është e trishtë.”
Për të, ndryshimi nuk është vetëm estetik. Vajza thotë se ndërtimet kanë ndikuar edhe në cilësinë e jetës. “E ndjen edhe në ajër. Është i ndotur për shkak të gjithë këtyre ndërtimeve.”
Ata jetojnë me prindërit sepse qiratë dhe shpenzimet janë bërë të larta. Edhe pse të dy punojnë dhe thonë se kanë paga të mira, në fund të muajit paratë nuk u mjaftojnë.
Bregdeti, mes turizmit dhe privatizimit
Reportazhi zhvendoset më pas drejt jugut të Shqipërisë, ku ritmi i ndërtimeve bëhet edhe më i dukshëm.
Në Green Coast, një nga komplekset e mëdha turistike në bregdet, gazetari përshkruan atë që sheh si një zhvillim masiv me qindra vila, pishina, fusha tenisi, restorante dhe plazhe private.

“Ky është një përbindësh”, thotë pa asnjë dyshim gazetari i The Guardian. “Kam jetuar në vende të Mesdheut për rreth 20 vjet dhe nuk kam parë askund në bregdetin mesdhetar një projekt të kësaj shkalle, kaq pranë ujit.”
Edhe aksesimi i detit bëhet më i vështirë. Teksa sorollatet në kërkim të rrugës për në plazh, gazetari vëren se rrugët brenda kompleksit të çojnë kryesisht drejt ambienteve private të plazhit.
Një pronar biznesi në zonë e sheh ndryshe këtë zhvillim. Ai argumenton se kompanitë private ofrojnë shërbimet më të mira dhe krijojnë vende pune. Por debati nuk është vetëm për cilësinë e shërbimeve. Është edhe për pyetjen se kush mund t'i përdorë këto hapësira.
Kush mund t’i përballojë këto resorte?
Në reportazh tregohet se një natë në një nga vilat e Green Coast kushton rreth 2,186 dollarë, ndërsa me zbritje çmimi zbret në rreth 1,382 dollarë.
Gazetari e krahason këtë me pagën mesatare mujore të shqiptarëve dhe arrin në përfundimin se është e kuptueshme pse shumica e shqiptarëve nuk ndihen pjesë e këtyre projekteve.
Këtë konkluzion ia plotëson edhe një banor i cili thotë se kjo zonë e bregdetit nuk është më për vendasit.
“Për gati 10 vjet kam ardhur këtu. Pesë vjet më parë ishte pothuajse bosh. Tani është e gjitha e mbushur.”
Sipas tij, toka dikur ishte publike dhe tashmë është kthyer në hapësirë private. Ai e lidh këtë drejtpërdrejt me protestat: nëse njerëzit nuk reagojnë, sipas tij, privatizimi do të vazhdojë të zgjerohet.
“Nuk duam të bëjmë masazh, duam të shtrihemi në shezlong”
I intervistuar në reportazhin e The Guardian, gazetari shqiptar, Lorin Kadiu që ka studiuar zhvillimin urban në Shqipëri thotë se ndryshimi është i dukshëm edhe nga qendra e Tiranës.
“Kur isha fëmijë, mund ta shihje malin e Dajtit pothuajse nga çdo pjesë e qytetit. Tani po bëhet e pamundur ta shohësh. Ka kaq shumë ndërtime.”
Ai thotë se rreth 2.1 milionë metra katrorë tokë publike janë dhënë falas për investitorë strategjikë, ndërsa sipas tij ka pak investime të huaja të mirëfillta dhe shumë favorizime për kompani private shqiptare.
“Për mua duket sikur një grup njerëzish e ka përshtatur ligjin sipas nevojave të veta dhe qeveria ka qenë e gatshme t’ua ofrojë.”
Në bregdet, shqetësimi lidhet edhe me faktin se plazhet dhe resortet po bëhen gjithnjë e më të shtrenjta.
“Është pothuajse e pamundur të shkosh në det, sidomos në jug, nëse nuk paguan ose nuk shkon në një prej këtyre resorteve”, thotë ai.
Gazetari Matthew Cassel e pyet nëse nuk do të ishte më mirë të shijosh një plazh të organizuar, me koktej dhe shërbime.
“Po, do ta preferoja. Por kam frikë se do të jemi ne ata që do t’u bëjmë masazhin dhe do t’u shërbejmë mojiton, jo ne ata që do të jemi të shtrirë në shezlongë. Kjo është ajo që më shqetëson.”
Konflikti për tokën
Natyrshëm që në reportazh do të prekej edhe konflikti për pronësinë e tokës në Zvërnec.
Aty, gazetari flet me një pronar toke që kundërshton mënyrën se si prona e tij është përfshirë në projekt.

Gazetari e pyet se si është e mundur që toka që ai pretendon se i përket familjes së tij është shitur te investitorë të huaj për ndërtimin e një resorti.
Banori që pretendon pronësinë e një pjese të tokës thotë se “shitja ka ndodhur në mënyrë shumë të fshehtë dhe kjo ishte gjëja më skandaloze. Në Shtator do jemi në gjykatë dhe presim të jepet vendimi për hapjen e gjyqit”.
“Kjo nuk është një luftë me Kushnerët”
Në fund, reportazhi e zhvendos fokusin nga emrat e njohur amerikanë te problemi më i gjerë që po ngre protesta.
Gazetari thotë se interesimi ndërkombëtar është rritur për shkak të lidhjes së projektit me familjen Trump, por thekson se kjo nuk është në thelb një përplasje mes shqiptarëve dhe SHBA-së, apo mes shqiptarëve dhe Kushnerëve.
“Ky është në të vërtetë një konflikt mes shumë shqiptarëve dhe një qeverie që ata e akuzojnë si të korruptuar dhe që, sipas tyre, po privatizon disa nga vendet më të bukura të këtij vendi.”
Protestuesit thonë se duan të qëndrojnë në Shqipëri, por duan që vendi të mbetet i aksesueshëm edhe për ta.
“Ne e duam vendin tonë. Duam të qëndrojmë këtu dhe do të luftojmë deri në fund”, thotë një prej tyre.
Pyetja që mbetet në fund të reportazhit është se sa e aftë është Shqipëria që të zhvillojë turizmin dhe të tërheqë investime, pa i bërë qytetarët e saj të ndihen të përjashtuar nga vendi ku jetojnë.
Reportazhin e The Guardian mund ta ndiqni të plotë këtu.
