Taksa që tregon mospërfilljen e qeverisë ndaj qytetarëve

Tristan Puto 4 Shtator 2026, 04:16

Taksa që tregon mospërfilljen e qeverisë ndaj qytetarëve

Shqiptarët paguajnë çmimin më të lartë për naftën mes 44 vendeve europiane, me përjashtim të Danimarkës, Norvegjisë dhe Holandës, që kanë çmim fare pak më të lartë se Shqipëria.

Një nga arsyet e çmimit të lartë është taksa e qarkullimit, që në Shqipëri paguhet në çmimin e karburantit: 27 lekë për çdo litër benzinë ose naftë.

Në të gjitha vendet europiane, me përjashtim të Shqipërisë dhe Norvegjisë, taksa e qarkullimit (e njohur edhe si taksa e rrugës) paguhet si taksë vjetore, një herë në vit.

Qeveria e ka mbrojtur prej vitesh taksimin për litër me një argument që, në pamje të parë, duket i drejtë. Ai që lëviz më shumë, paguan më shumë. Pra, ai që përdor më shumë rrugët, paguan më shumë.

Por ky argument ka një boshllëk të madh. Ai nuk merr parasysh arsyen e udhëtimit me makinat private të qytetarëve.

Për të ilustruar arsyetimin, le të marrim një person i cili përshkon 15 kilometra, kryesisht për të çuar fëmijët në shkollë dhe për të shkuar në punë. Në total, ai bën 30 kilometra në ditë.

Kjo do të thotë se vetëm vajtje-ardhjet në shkollën e fëmijëve dhe në punë shkojnë në 6 600 kilometra në vit (llogaritur për 220 ditë pune).

Nëse makina e tij konsumon mesatarisht 7 litra për 100 kilometra, vetëm për këto vajtje-ardhje i duhen rreth 462 litra karburant në vit.

Kostoja totale e taksës së qarkullimit që ai paguan është mbi 12 mijë lekë në vit—rreth 135 euro në vit ose mbi 11 euro në muaj.

Kaq është kostoja e taksës së qarkullimit për këtë qytetar vetëm për të shkuar në punë—pa llogaritur udhëtimet e tjera të domosdoshme ditore, as udhëtimet për pushime, kënaqësi apo arsye të tjera. Vetëm udhëtimi për në punë për një distancë relativisht të vogël.

Sa më larg të jetë vendi i punës, aq më shumë rritet kostoja e taksës së qarkullimit.

Këtu pretendimi se kjo është një taksë “më e drejtë” fillon të humbasë kuptimin, sepse sistemi nuk dallon mes lëvizjes “për qejf” dhe lëvizjes së detyruar për të shkuar në punë për të mbajtur familjen.

27 lekë për litër paguan ai që niset për fundjavë në plazh, 27 lekë paguan edhe punonjësi që duhet të paraqitet çdo mëngjes në punë.

Qeveria mat vetëm litrat, pa asnjë konsideratë për llojin e udhëtimit.

Pretendimi i “drejtësisë” së mënyrës së vendosjes dhe mbledhjes së kësaj takse dobësohet edhe për një fakt tjetër.

Transporti publik në Shqipëri është shumë i kufizuar dhe i një cilësie të dobët.

Edhe sikur të donin të përdornin transportin publik për të shkuar në punë apo për të çuar fëmijët në shkollë, kjo do të ishte e pamundur për një pjesë të madhe të qytetarëve dhe e papërshtatshme për shumë të tjerë.

Zona të tëra të Tiranës dhe qyteteve të tjera, sidomos zonat periferike, nuk mbulohen fare nga transporti publik. Këta janë edhe qytetarët që zakonisht udhëtojnë më shumë.

Atje ku transporti publik ofrohet, transporti urban vuan nga frekuencat e ulëta dhe vonesat e gjata, është shpesh i tejmbushur dhe, në jo pak raste, duhet ndërrimi i disa linjave—që, përveç vonesave të shtuara, rrit koston, pasi në çdo linjë paguhet tarifa e plotë.

Për një punonjës që duhet të jetë në një orar të caktuar në vendin e punës, spital, shkollë etj., makina nuk është rehati apo luks, por domosdoshmëri, pasi për shumicën e tyre transporti publik nuk ekziston ose nuk është i volitshëm.

Dhe pikërisht pasi shteti nuk i ofron një alternativë funksionale për të lëvizur, i merr edhe 27 lekë për çdo litër karburant që ai detyrohet të blejë për të shkuar në punë.

Në teori, “kush lëviz më shumë, paguan më shumë” tingëllon si një parim i arsyeshëm. Në praktikë, ai do të thotë që kush banon më larg punës, paguan më shumë.

Kush nuk ka akses në transport publik të përshtatshëm, paguan më shumë.

Kush duhet të paraqitet fizikisht çdo ditë në punë, paguan më shumë.

Kjo bëhet edhe më e dukshme kur Shqipëria krahasohet me vendet e rajonit.

Për makinat joluksoze, në Kosovë taksa rrugore është 40 euro në vit. Në Malin e Zi është rreth 40 euro.

Në Maqedoninë e Veriut, rreth 30–40 euro në vit.

Në shembullin e mësipërm, vetëm udhëtimi për në punë i kushton qytetarit shqiptar të paktën tri herë më shumë se taksa vjetore që paguhet për një makinë të ngjashme në vendet fqinje.

Shqipëria, veçse e ka lidhur taksën me çdo litër karburant që qytetari konsumon, nuk ka treguar as ndonjë vullnet që të paktën niveli i kësaj takse të jetë i tillë që kostoja e përafërt vjetore për një qytetar tipik të jetë e krahasueshme me atë që paguajnë në vendet e rajonit.

Shqipëria ka zgjedhur rrugën më të lehtë për arkën e shtetit, por jo për qytetarët. 27 lekë për çdo litër, edhe kur qytetari e ka ndezur makinën për të shkuar në punë, në kushtet kur shteti nuk ofron transport publik.

Në këtë pikë, debati nuk është më vetëm për një taksë, por është për mënyrën se si shteti e sheh qytetarin.

Shteti nuk u ofron qytetarëve një mënyrë tjetër për të shkuar në punë; pastaj i takson rëndë sepse përdorin të vetmen mënyrë që u ka mbetur.

 

Shpërndaje te miqtë