
Studentë dhe pedagogë dolën në ditën e dhjetë të protestave, por parlamenti i Shqipërisë refuzoi të adresojë shqetësimet e tyre.
Parlamenti nuk diskutoi për situatën politike në vend, madje edhe ligjet u miratuan në kohë rekord dhe pa asnjë diskutim.
Seanca parlamentare zgjati më pak se një orë. Në një gjendje kaotike në sallë shumica socialiste miratoi pa asnjë shqyrtim paraprak disa ligje që qeveria thotë se janë të nevojshme.
Deputetët e opozitës qëndruan në këmbë duke thirrur “dorëheqje” ndërsa kolegët e tyre socialistë ngrinin kartonët.
Partia Demokratike në opozitë kishte kërkuar që seanca parlamentare t'i kushtohej tërësisht kërkesës së protestuesve për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie kujdestare që do të çonte vendin në zgjedhjet e parakohshme.
Por për deputetët e mazhorancës qeveria duhet të vazhdojë punën dhe prioritet është axhenda e ligjeve për mbylljen e kapitujve të negociatave me BE.
Momentet e votimit u shoqëruan edhe me disa përplasje fizike mes deputetëve të të dy krahëve politikë, çka bëri që në sallë të futen edhe forca të Gardës së Republikës, të ngarkuara për sigurinë e seancave.
Parlamenti u rikthye në punë pas anulimit javën e kaluar të seancës së planifikuar për shkak të protestave masive të studentëve dhe të rinjve dhe përplasjeve të dhunshme në rrugët e Tiranës.
Godina e parlamentit u rrethua në një perimetër të gjerë nga frika e përplasjeve me protestuesit që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit.
Vetë kryeministri Edi Rama nuk ndodhet në Tiranë. Ai udhëtoi mbrëmjen e kaluar drejt Malit të Zi fqinj për të marrë pjesë në takimin vjetor të Procesit të Berlinit. Takimi është një iniciativë e Gjermanisë për të përafruar vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian.
Ditët e fundit ka pasur reagime mbi ngjarjet nga eurodeputetë gjermanë. Njëri prej tyre, Tomas Valz u shpreh se protestat kundër korrupsionit dhe kërkesat për arsim cilësor janë shprehje të europianizimit, ndërsa dhuna ndaj protestuesve shkon kundër këtyre idealeve.
Studentët protestues dhe pedagogët u mblodhën përsëri të enjten përpara godinës së Universitetit Politeknik të Tiranës. Ata marshuan fillimisht drejt selisë së kryeministrisë dhe më pas godinës së parlamentit.
Studentët dhe pedagogët artikuluan kërkesën për largimin e qeverisë, të cilën e bëjnë përgjegjëse për situatën e vështirë ekonomike dhe sociale, thellimin e pabarazisë, sjelljen arrogante duke injoruar shqetësimet e shtresave të gjera të popullsisë dhe dhunën e policisë gjatë protestave të ditëve të fundit.
Për 10 ditë me mijëra studentë, nxënës, të rinj dhe qytetarë kanë dalë në demonstrata që shpeshherë janë shndërruar në përplasje të dhunshme met policinë.
Policia ka përdorur forcë ndaj protestuesve, që është konsideruar nga studentët jo proporcionale dhe e paprovokuar.
Kryeministri Rama i ka konsideruar protestat të nxitura nga shtetet armike të Shqipërisë, si Rusia dhe Irani, nga shërbime sekrete të vendeve të huaja, shprehje e ideologjisë së organizatave të ekstremit të majtë si Antifa, nga krimi i organizuar dhe partitë opozitare për të penguar anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Ai i ftoi edhe sot studentët për bisedime duke vendosur letrat ku shkruhej “dialog” mbi shtylla guri përpara kryeministrisë.
Protestuesit e kanë kundërshtuar këtë ftesë që ditën e parë dhe thonë se nuk kanë më besim te kryeministri Rama. Ata e akuzojnë atë se me qeverisjen e tij ka prodhuar korrupsion masiv.
Gjatë viteve të fundit një numër ministrash të qeverisë janë vënë nën akuzë për korrupsion dhe akuza të tjera të rënda.
Në 12 muajt e fundit, Prokuroria e Posaçme SPAK mori nën hetim dhe ngriti akuza për korrupsion, fshehje të pasurisë dhe pastrim parash ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Kryeministri Rama dhe shumica socialiste rrëzuan me shumicë votash në Kuvend kërkesën e prokurorëve për heqjen e imunitetit të saj.
Pas zonjës Balluku, edhe drejtoresha e AKSHI-t, agjencisë qeveritare për infrastrukturën dixhitale u arrestua për korrupsion dhe krijim të grupit të strukturuar kriminal.
Një muaj më parë SPAK vendosi në arrest shtëpiak shefen e shërbimit sekret në lidhje me krimin e organizuar dhe nxjerrje të dokumenteve sekrete.
Shpërndaje te miqtë
