Studentët refuzojnë shfaqjen e Ramës me karrige dhe thonë se nuk ka dialog me kryeministrin

Stafi i theExit 20 Tetor 2026, 15:39

Studentët refuzojnë shfaqjen e Ramës me karrige dhe thonë se
Sot në mëngjes, kryeministri Edi Rama vendosi disa karrige përpara Kryeministrisë, me mbishkrimin “Dialog”, dhe ftoi studentët në bisedime.

Studentët iu përgjigjën një orë më pas duke i përmbysur karriget, në shenjë refuzimi ndaj ftesës së kryeministrit.

Ata argumentojnë se dhuna e ushtruar nga policia gjatë ditëve të fundit dhe arrestimet e protestuesve kanë dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme mundësinë për dialog me qeverinë.

Të martën në mëngjes, edhe pedagogët marshuan në mbështetje të studentëve dhe dënuan dhunën policore ndaj protestuesve.

Dhjetëra pedagogë dhe studentë u mblodhën fillimisht pranë Universitetit Politeknik të Tiranës dhe më pas u vendosën në sheshin përpara Kryeministrisë, në mënyrë paqësore.

Përfshirja e pedagogëve në mbështetje të protestave studentore erdhi pas firmosjes së një deklarate nga rreth 1,500 profesorë universitarë.

Në deklaratën e tyre, ata dënojnë dhunën policore ndaj studentëve dhe fajësojnë institucionet për mungesën e reagimit ndaj kërkesave qytetare të protestuesve.

Në të njëjtën kohë, Sindikata e Pedagogëve të Universiteteve të Shqipërisë njoftoi bojkotin e mësimit në të gjitha universitetet, duke nisur nga nesër.

Sindikata njoftoi se pedagogët do të mblidhen çdo ditë në orën 10:00 pranë Universitetit Politeknik të Tiranës, nga ku do të marshojnë së bashku me studentët drejt Kryeministrisë.

“Një vend si Shqipëria, që aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, nuk mund të tolerojë një dhunë kaq makabre ndaj studentëve, të cilët po na japin një mësim të jashtëzakonshëm lirie”, u shpreh një nga pedagoget në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës.

Ditën e djeshme, kryeministri Rama njoftoi shpërblimin prej 2,500 eurosh për punonjësit e Policisë së Shtetit, një vendim i marrë në një kohë kur ndërhyrjet e policisë ndaj protestuesve janë kritikuar për shkelje të të drejtave të njeriut.

Mbështetje për studentët dhe qytetarët që marrin pjesë në lëvizje ka shprehur edhe diaspora akademike, përmes një deklarate solidariteti.

Akademikët u bëjnë thirrje partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht institucioneve të Bashkimit Evropian, Delegacionit të BE-së në Shqipëri dhe Ambasadës së SHBA-së, të ndjekin me vëmendje zhvillimet në Shqipëri.

Ata kërkojnë respektimin e të drejtave demokratike dhe nxitjen e llogaridhënies institucionale.

Prej tetë ditësh, mijëra studentë, nxënës, të rinj dhe qytetarë kanë dalë në protesta, duke kërkuar tashmë vetëm largimin e kryeministrit Rama. Protestat janë karakterizuar nga dhuna, ndërsa policia ka tentuar t'i shpërndajë protestuesit me forcë, duke përdorur gaz lotsjellës, ujë dhe plumba gome.

Për katër muaj, qytetarët protestuan në shesh në mënyrë paqësore, por kërkesat e tyre për anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura natyrore, anulimin e ligjit klientelist për investimet strategjike dhe llogaridhënien publike të qeverisë nuk u morën asnjëherë seriozisht nga kryeministri Rama.

Me bojkotin e mësimit që nis nesër, mbështetja e pedagogëve i shtohet Revolucionit të Flamingos, ndërsa studentët vijojnë të refuzojnë ftesën për dialog të kryeministrit Rama.

Shpërndaje te miqtë