
Studentët i janë rikthyer protestave sot për të njëjtat arsye që i nxorën në shesh në protesta masive në 2018, duke shtuar edhe kërkesa politike për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Ndryshe nga shtatë vite më parë, këtë radhë protestat kanë qenë të dhunshme.
Grupe të rinjsh u përleshën me policinë përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë dhe në disa rrugë të tjera të kryeqytetit.
Protesta u tensionua dhe degjeneroi në dhunë kur grupe studentësh fillimisht shkulën kangjellat e mureve rrethuese të Ministrisë së Arsimit.

Policia ndërhyri me forcë dhe përdori topa uji dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, ndërsa studentët qëlluan me gurë dhe sende të forta.
Tensionet mes policisë dhe të rinjve protestues vazhduan për disa orë të tjera përreth qendrës së Tiranës.
Policia shoqëroi me forcë një numër protestuesish, pasi ata dogjën kosha mbeturinash, hoqën pllakat e trotuareve dhe shkulën gardhet rrethuese të disa rrugëve kryesore në kryeqytet.

Protesta u thirr disa ditë më parë nga grupe studentore që ftuan të rinjtë të protestonin për kushtet e vështira në universitete dhe konvikte, kostot e larta të studimeve, mungesën e mbështetjes financiare dhe pasigurinë në tregun e punës pas përfundimit të studimeve.
“Protestojmë për çdo gjë që nuk funksionon dhe për çdo gjë që duam të jetë ndryshe”, thuhej në mesazhin e publikuar nga organizatorët.
Gjatë protestës të rinjtë hodhën thirrje të tilla si “Duam kushte, duam dije, jo pallavra qeverie” dhe “Kur zgjohet rinia, bie qeveria”.
Njëri prej pjesëmarrësve në protestë deklaroi se të rinjtë kanë humbur besimin te kryeministri dhe se tubimi nuk është thirrur për të zgjatur vetëm një ditë, por për të kërkuar një të ardhme më të mirë.
Përmes këtij tubimi, të rinjtë kërkojnë vëmendje ndaj shqetësimeve të tyre për kostot e larta të jetesës dhe masa konkrete për përmirësimin e situatës në arsim.
Protesta u zhvillua ditën që kryeministri Rama udhëtoi për në Luksemburg, në konferencën ndërqeveritare Shqipëri-BE, ku formalizohet mbyllja e negociatave për kapitullin mbi “ndërmarrjet dhe politikat industriale”.
Për protestën reagoi zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, e cila akuzoi opozitën për organizimin e protestave të dhunshme dhe u shpreh se “gurët dhe shkatërrimi i pronës publike” nuk është gjuha me të cilën duhet të flasin të rinjtë.
Tarifat e shkollimit për programin bazë Bachelor në universitetet publike arrijnë deri në 60 mijë lekë në vit. Për studimet Master kostot rriten dyfish dhe arrijnë deri në 94 mijë lekë në vit, pa llogaritur shpenzimet për libra dhe shpenzime të tjera të nevojshme.
Por, në ndryshim nga viti 2018, ato që janë rritur më shumë janë kostot e jetesës në Tiranë. Një studenti i duhen 60 mijë lekë në vit për shpenzime bazë, pa llogaritur qiranë për banesë.
Në konviktet shtetërore një student paguan 4500 lekë në muaj për strehim, por numri i vendeve është i kufizuar. Studentët e tjerë duhet të përballojnë kostot e banimit duke paguar qira me çmimet e tregut.
Qiratë e apartamenteve 1+1 në kryeqytet, sipas një vëzhgimi të fundit të revistës "Monitor", variojnë nga 350 euro në muaj në zonat periferike deri në 1200 euro në muaj në zonën e qendrës së Tiranës.
Qeveria mbulon me bursë, me një pagesë prej 50 mijë lekësh në muaj, studentët e ekselencës dhe ata të degëve prioritare si bujqësia apo mësuesia.
Gjatë protestave të vitit 2018 studentët dolën me një listë kërkesash, por ato u plotësuan pjesërisht. Qeveria përgjysmoi tarifat e shkollimit, por buxheti për arsimin nuk u rrit në masën 5 përqind të PBB-së.
Në konvikte u kryen disa ndërhyrje dhe studentët u pajisën me Kartën e Studentit, me të cilën mund të përfitojnë abone falas për transportin urban në Tiranë.
Shpërndaje te miqtë
