SPAK thotë se ka zbërthyer skemën e korrupsionit, sekuestron vilën e dyshuar të Ballukut në Palasë

Stafi i theExit 10 Shtator 2026, 11:32

SPAK thotë se ka zbërthyer skemën e korrupsionit, sekuestron

Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ka vendosur në sekuestro një vilë në kompleksin luksoz Green Coast në Palasë, që dyshohet se është në pronësi faktike të Belinda Ballukut.

SPAK dyshon se vila me një sipërfaqe prej 478 metrash katrorë ishte përfituar si pasojë e korrupsionit të zonjës Balluku me tenderat e rrugëve gjatë kohës që ajo drejtonte Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe ishte regjistruar nën emër tjetër me qëllim fshehjen e saj.

Skema, sipas SPAK-ut, ishte e thjeshtë: ministrja vendoste që një firmë ndërtimi të fitonte tenderin, ndërsa firma e ndërtimit merrte përsipër ndërtimin e vilës, e cila më pas regjistrohej në emrin e një personi tjetër për të fshehur pronësinë e vërtetë.

Në këtë kontekst, Belinda Balluku akuzohet nga SPAK se ka favorizuar bashkimin e kompanive “Alko-Impex General Construction” dhe “2T” sh.p.k. në një tender për ndërtimin e një segmenti të Unazës së Madhe të Tiranës, me vlerë mbi 2.3 miliardë lekë ose 23 milionë euro.

Për këtë favorizim, SPAK ka arritur në konkluzionin se zonja Balluku ka kërkuar dhe më pas ka marrë si përfitim të parregullt nga Arbër Abazi, pronari i kompanisë “Alko-Impex General Construction”, vlerën e punimeve apo investimit në vilën e ndërtuar në Green Coast në Palasë.

Në njoftimin zyrtar, Prokuroria e Posaçme thotë se, sipas preventivit të punimeve të marra përsipër nga zoti Arbër Abazi, vlera e investimit varion nga 288 mijë euro deri në mbi 410 mijë euro.

Për të fshehur vilën e përfituar si pasojë e korrupsionit, SPAK thotë se zonja Balluku ka përdorur sërish shtetasin Igli Tare. Edhe pse ishte në lupën e prokurorisë si person nën hetim për një çështje tjetër, SPAK deklaron se në shtatorin e vitit të kaluar zonja Balluku ka realizuar regjistrimin e pronës në emër të zotit Tare, përmes dokumentacionit dhe kontratës fiktive të shitjes.

Është hera e dytë që SPAK sekuestron një pronë të dyshuar si pasuri e fshehur e zonjës Balluku. Përpara disa muajsh, prokurorët sekuestruan një vilë në kompleksin White Rock në Dhërmi, të cilën zonja Balluku, sipas SPAK-ut, e kishte fshehur duke e regjistruar po në emrin e Igli Tares.

Prokurorët, për këtë qëllim, kanë rënduar akuzat ndaj zonjës Balluku, që akuzohej më parë për shkelje të barazisë në tendera publikë (duke nisur nga tuneli i Llogarasë dhe disa rrugë të tjera), korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa kanë shtuar edhe akuzën e fshehjes dhe deklarimit të rremë të pasurisë.

Po kështu, edhe Arbër Abazi, pronari i kompanisë “Alko-Impex General Construction”, është vendosur nën hetim për korrupsion të zyrtarëve të lartë, ndërsa Igli Tare për pastrim parash.

Pavarësisht fakteve të reja që pretendohen, SPAK deri tani nuk ka dalë me një kërkesë të re për imunitetin e zonjës Balluku. Kërkesa e Prokurorisë, e bërë vitin e kaluar për heqjen e imunitetit, u rrëzua nga shumica socialiste në Kuvend.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur sekuestron dhe ka ngritur akuza të reja ndaj ish-zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

SPAK ka marrë edhe vendimin e gjykatës për të sekuestruar edhe një vilë në një kompleks luksoz turistik, e cila dyshohet se ishte pronë e saj, e regjistruar në emër të një tjetër personi, ish-futbollistit të kombëtares dhe ish-drejtorit sportiv të Lacios dhe Milanit, Igli Tare.

Shpërndaje te miqtë