
Vlora Hyseni do të përballet me akuza të reja dhe shumë më të rënda pas arrestimit dhe shkarkimit të saj në muajin shtator.
Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zgjeruar hetimin ndaj ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), duke i shtuar asaj akuza për korrupsion, fshehje pasurie dhe pastrim parash.
Exit.al ka siguruar dokumentet zyrtare të prokurorisë që detajojnë këto akuza.
Zgjerimi i hetimit erdhi pasi SPAK ra në gjurmë të gati 1 milion eurove të përfituara nga Agasi dhe rrjeti i tij kriminal prej tenderave me fonde publike të AKSHI-së, të cilat kanë përfunduar më pas në llogaritë bankare të vëllezërve të Hysenit në Gjermani.
Sipas SPAK, zanafilla e korrupsionit është një tender prej 18 milionë eurosh i fituar nga dy kompani shqiptare. Menjëherë më pas, kompanitë i kryejnë një transfertë prej 1.2 milionë eurosh një firme tjetër të quajtur Enklo Construction, zyrtarisht për “shërbime konsultimi IT”.
Prokurorët pretendojnë se këto shërbime ishin tërësisht fiktive, pasi kompania nuk e kishte objekt të fushës së saj informacionin elektronik, por operonte në fushën e ndërtimit.
Nga Enklo Construction paratë u shpërndanë më tej. Si fillim, firma bleu një makinë të markës Range Rover prej 290 mijë eurosh për Ergys Agasin, të cilin prokurorët e përshkruajnë si drejtuesin e rrjetit kriminal. Ndërkaq, 420 mijë euro të tjera shkuan te Fortis Beton, një kompani e zotëruar nga bashkëpunëtori i ngushtë i Agasit, Orest Sota.
Por destinacioni përfundimtar i fondeve ishte Gjermania. Duke përdorur Fortis Beton si mbulesë, Agasi transferoi 500 mijë euro në mars 2024 te një firmë gjermane me përshkrimin për “projekte arkitekturore për një qendër tregtare në Tiranë”.
Prokurorët vërtetuan se projekti nuk është realizuar kurrë dhe se një qendër e tillë nuk ekziston në Tiranë. Përkundrazi, ata zbuluan se njëri prej vëllezërve të Hysenit punonte në kompaninë gjermane që mori paratë.
Një transfertë e dytë prej 450 mijë eurosh u përgatit për t’u dërguar në një kompani tjetër gjermane të zotëruar nga vëllai i dytë i Hysenit, Izet Dingler. Ai e kishte ndryshuar më herët mbiemrin në Gjermani nga Hyseni në Dingler.
Kjo transfertë u anulua në momentin e fundit, pak para arrestimit të Agasit, teksa ky i fundit ndjeu se po i afroheshin hetimet e SPAK.
Prokurorët pretendojnë se pagesat ishin shpërblim për ish-shefen e SHISH në këmbim të informacioneve sekrete shtetërore që ajo i kishte dhënë Agasit.

Vlora Hyseni vazhdon të mbetet nën arrest shtëpie pasi apeli i saj u refuzua nga Gjykata e Posaçme e Apelit. Ky vendim zbardhi edhe akuzat e reja që SPAK ka ngritur ndaj saj.
SPAK tha se po bashkëpunon me autoritetet në Gjermani dhe Kosovë përmes letërporosive për të zbardhur marrëdhëniet financiare dhe lëvizjet e parave të vëllezërve të Hysenit.
Hyseni u vendos nën arrest shtëpie dhe u pezullua nga detyra në shtator 2026. Inicimi i çështjes në atë kohë nga SPAK bazohej në akuzat për përkrahje të autorit të krimit dhe zbulim të të dhënave sekrete.
Gjatë kohës kur ndaj saj u lëshua urdhër-arresti, Hyseni ndodhej në Baku të Azerbajxhanit në një vizitë zyrtare. Ajo iu dorëzua autoriteteve shqiptare në kufirin me Kosovën, dhe në të njëjtën ditë u shkarkua nga detyra.
Fillimisht, çështja ndaj Hysenit përqendrohej te marrëdhënia e saj tejet e ngushtë me shtetasin Ergys Agasi, i cili në atë kohë ishte në kërkim ndërkombëtar nga SPAK për skandalin e AKSHI-t.
Pas arrestimit të Agasit, prokurorët konstatuan në komunikimet e tij se të dy kishin shkëmbyer qindra telefonata dhe mesazhe.
Hyseni u akuzua se kishte ndarë mediatikisht dhe privatisht me Agasin informacione sekrete, përfshirë detaje nga takime zyrtare dhe private me kryeministrin Rama. Ajo ishte betuar edhe se do të përdorte kompetencat e saj për t'u hakmarrë ndaj atyre që u kishin bërë keq.
Pas arrestimit, Agasit iu gjetën brenda makinës së tij nëntë diagrama sekrete të prodhuara nga SHISH. Automjeti luksoz që ai drejtonte ishte i pajisur me targa të pamundura për t’u diktuar, të cilat i ishin siguruar në mënyrë të paligjshme nga zyrtarë policie dhe përdoren vetëm nga një numër i kufizuar institucionesh shtetërore.
Skandali ekspozon lidhjen e rrezikshme, nw tw cilwn krimi i organizuar, politika dhe strukturat më të larta të sigurisë shtetërore shkrihen në një trup të vetëm.
Rasti "Hyseni-Agasi" dëshmon se si paratë e taksapaguesve tjetërsohen përmes tenderash të korruptuar, duke vërtetuar se kapja e institucioneve nuk është më thjesht një fenomen administrativ, por një kërcënim real për stabilitetin dhe sigurinë e vendit.
Shpërndaje te miqtë
