SPAK e dërgon Belinda Ballukun në gjyq për korrupsion me tendera, fshehje pasurie dhe pastrim parash

Stafi i theExit 28 Tetor 2026, 12:48

SPAK e dërgon Belinda Ballukun në gjyq për korrupsion me tendera,
Ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku do të dalë në gjyq me pesë akuza të rënda penale, përfshirë ato për korrupsion, fshehje pasurie, pastrim parash dhe favorizime në një numër tenderash publikë me një vlerë totale prej 600 milionë eurosh.

Prokuroria e Posaçme njoftoi se ka mbyllur hetimet ndaj Ballukut dhe do të dërgojë çështjen e saj në gjykatë.

Hetimet ndaj Ballukut përfshijnë kontratat e dhëna për ndërtimin e unazës së madhe të Tiranës dhe ndërtimin e tunelit të Llogarasë në dalje të Vlorës.

Prokurorët kanë sekuestruar edhe dy vila në bregdetin jugor të Shqipërisë, në zona ekskluzive, të cilat dyshohet se janë pasuri e fshehur e Ballukut, të përfituara në mënyrë korruptive.

SPAK e dërgon Belinda Ballukun në gjyq për korrupsion me tendera,

Së bashku me Ballukun, do të dalin përpara gjykatës edhe ish-drejtorët e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare që së bashku me Belinda Ballukun akuzohen për shkeljen e barazisë në tendera dhe ankande publike.

Nën akuzë janë vendosur edhe biznesmenë të sektorit të ndërtimit, të cilët kanë dhënë përfitime në këmbim të kontratave të fituara në tenderat e rrugëve.

Belinda Balluku konsiderohet si një nga njerëzit më me pushtet brenda qeverisë dhe ka shërbyer si numri dy i qeverisë të Edi Ramës rreth 6 vite.

Një vit më parë prokurorët e posaçëm i kërkuan Kuvendit heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut me qëllim vendosjen e masës së arrestit sepse rrezikonte prishjen e provave të hetimit dhe intimidimin e dëshmitarëve.

Kryeministri Rama e mbrojti zonjën Balluku publikisht dhe shumica socialiste e rrëzoi kërkesën e SPAK me shumicë votash.

Më pas ai e largoi Belinda Ballukun nga qeveria, por një emision investigativ në median shqiptare tregoi se pavarësisht se ndodhej jashtë qeverisë, influenca e Ballukut ishte e pandryshuar.

Pavarësisht akuzave dhe çështjeve të saj me drejtësinë, kryeministri Rama ka refuzuar të distancohet politikisht prej zonjës Balluku, ndryshe nga sa ai bëri disa vite më parë kur SPAK akuzoi ish-zëvendëskryeministrin tjetër, Arben Ahmetaj.

Në atë kohë Rama dhe shumica socialiste votuan heqjen e imunitetit për Ahmetajn. Ky i fundit u arratis nga Shqipëria dhe i shpëtoi arrestimit.

Prej asaj kohe Ahmetaj jeton në Zvicër dhe ka akuzuar në disa intervista televizive kryeministrin Rama, ish-zëvendëskryeministren Balluku dhe kryetarin e bashkisë së Tiranës, Veliaj për afera korruptive.

SPAK arrestoi në 10 shkurt 2025 Erion Veliajn për korrupsion, fshehje pasurie dhe ndaj tij ka nisur procesi gjyqësor në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion.

Qeverisja socialiste është përballur me një numër skandalesh korrupsioni që kanë përfshirë edhe ish-ministra të tjerë të kabinetit Rama.

Shqipëria është përfshirë muajt e fundit nga protesta masive të qytetarëve, të cilat nisin nga episode të veçanta por përfshijnë zemërim për keqqeverisjen, korrupsionin masiv në nivele të larta, koston e lartë të jetesës dhe problematika të tjera të gjera.

Protestat paqësore të revolucionit flamingo që shpërthyen në muajin qershor, kundër projektit të lidhur me Jared Kushner në zonën e Zvërnecit, u shndërruan në tetor në përplasje të studentëve me policinë.

Këto protesta janë kritikuar fort për dhunën jo proporcionale të policisë ndaj të rinjve dhe qytetarëve të tjerë që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama.

Shpërndaje te miqtë