
Kuvendi pritet të amendojë Ligjin për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, për të ndryshuar përcaktimet për llogaritjen e pagës së magjistratëve të cilat u miratuan në vitin 2016 si pjesë e Reformës në Drejtësi.
Ndryshimet kërkojnë 3 të pestat e Kuvendit, minimalisht 84 vota. Përveç 82 deputetëve socialistë Kryeministri Rama ka edhe mbështetjen e tre deputetëve të Partisë Socialdemokrate të Tom Doshit.
Qeveria ka refuzuar të bëjë rritjet e detyrueshme të pagës së tanishme të magjistratëve që prej 1 korrikut kur u rritën pagat e sektorit publik në vend.
Ligji e llogarit nivelin e pagave të magjistratëve nisur nga niveli i pagës së drejtorit të përgjithshëm në Kryeministri, që do të thotë që ndryshimi i nivelit të ktij të fundit automatikisht ndryshon nivelin e pagave të magjitstratëve.
Rroga e drejtorit të përgjithshëm në Kryeministri u rrit më 1 korrik 2026, si pjesë e një reforme që rriti të gjitha rrogat e sektorit publik.
Megjithatë qeveria refuzoi të indeksonte pagat e magjistratëve sikurse e kërkon ligji, duke u justifikuar se ligji ishte i paqartë për këtë çështje.
Magjistratët e ankiman çështjen dy herë në Gjykatën Kushtetuese, një herë për moszbatimin e ligjit për statusin dhe një herë kur qeveria ndryshoi ligjin për të mos ua paguar pagat sipas statusit.
Për t’i dhënë fund paqartësive, në shkurt të këtij viti, Gjykata Kushtetuese përcaktoi me vendim përfundimtar pagën referuese mbi të cilën Qeveria dhe Kuvendi duhej të bënin ndryshimet ligjore për të përcaktuar nivelin e pagave të magjistratëve.
Gjykata vendosi që Kuvendi duhej të miratonte ndryshimet ligjore bazuar mbi vendimin e saj brenda datës 31 korrik.
Duke qenë se Kuvendi nuk veproi brenda kësaj date, Këshilli i Lartë Gjyqësor kërkoi nga Ministria e Financave të llogarisë pagat e magjistratëve sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Qeveria nuk pranoi dhe shumica socialiste paraqiti në Kuvend ndryshimet në statusin e gjyqtarëve që pritet të miratohen sot.
Këto ndryshime e ulin nivelin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve duke përcaktur një formulë llogaritje që prodhon një vlerë më të ulët page se formula e mëparshme.
Magjistratët janë shprehur në publik dhe në komisionet parlamentare se nëse ligji do të miratohet të enjten, ata do ta ankimojnë atë sërish në Gjykatën Kushtetuese.
Opozita ka deklaruar se nuk do të votojë propozimet e socialistëve.
