Shtëpia e Bardhë i kërkon dorëheqjen Gilfojëllit. Ambasadorja ikën, kontrata 6 miliardë dollarëshe me Aktorin mbetet në Tiranë

Alba Mborja 13 Tetor 2026, 17:02

Shtëpia e Bardhë i kërkon dorëheqjen Gilfojëllit.
Shtëpia e Bardhë i ka kërkuar ambasadores amerikane në Greqi, Kimbërli Gilfojëll, të japë dorëheqjen, raportuan sot mediat amerikane.

"I kemi kërkuar ambasadores Gilfojëll të japë dorëheqjen. Ajo ka qenë një vlerë e madhe për ekipin dhe i urojmë të mirat", pohoi të martën zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Kejti Zakaria, në konferencën e saj të parë për shtyp. Ajo nuk dha detaje të tjera.

Vendimi erdhi më pak se një ditë pasi presidenti Tramp pranoi publikisht se po shqyrtonte shkarkimin e saj. "Po e shqyrtojmë. Po, nuk jemi të kënaqur", u tha ai gazetarëve të hënën.

Ende nuk është e qartë nëse Gilfojëll e ka dorëzuar dorëheqjen, por largimi i saj tashmë është fakt.

Exit.al shkroi sot më herët se ambasadorja kishte ardhur dy herë në Tiranë për kompaninë greke Aktor, me të cilën qeveria shqiptare nënshkroi në prill një kontratë 20-vjeçare gazi me vlerë 6 miliardë dollarë.

Nga "mikja ime" te dorëheqja

Rënia e Gilfojëllit ishte e shpejtë. Më 26 mars, në një pritje në Shtëpinë e Bardhë për Ditën e Pavarësisë së Greqisë, Tramp e përqafoi dhe e thirri në krah të tij para të pranishmëve. "Kimbërli Gilfojëll është mikja ime prej shumë kohësh", tha ai. Duke iu drejtuar asaj, presidenti shtoi: "Ti je më e mira dhe kam dëgjuar se atje [në Greqi] të duan shumë."

Gjashtë muaj më vonë, ambasadorja u përball me kërkesa të anëtarëve të Kongresit për ta hetuar.

Seria e zbulimeve të gazetës Wall Street Journal (WSJ) nisi në fund të shtatorit me promovimin e kompanisë greke Aktor në Ballkan dhe me përfshirjen e lobistit të saj, Kristos Marafacos, në takimet diplomatike të ambasadores.

Seria vijoi me mesazhet ku ajo i kërkonte një donatori të paguante 100 mijë dollarë të kartës së saj American Express, në këmbim të aksesit te zyrtarët e administratës, dhe me një regjistrim audio ku ajo mburrej se dy manjatë grekë ia financonin udhëtimet luksoze, ndërsa i premtonte një biznesmeni amerikan se do ta bënte të pasur.

Sipas WSJ, zyrtarë të administratës Tramp propozuan që ambasadorja të largohej vetë, për t'ia kursyer Trampit sikletin e shkarkimit — dhe kjo është rruga që u zgjodh.

Gilfojëll i ka mohuar të gjitha akuzat. Avokatët e saj kanë vënë në dyshim autenticitetin e mesazheve të botuara nga WSJ dhe pohojnë se ajo ka ndjekur udhëzimet e Departamentit të Shtetit për çdo udhëtim me avion privat.

Ambasadorja ikën, kontrata e Shqipërisë mbetet

Në Tiranë, qeveria nuk ka folur publikisht për rolin e ambasadores në marrëveshjen me Aktorin.

E megjithatë, Shqipëria është vendi ku ky rol ka lënë gjurmën më konkrete: një kontratë që, sipas WSJ, Gilfojëll e ndihmoi Aktorin ta sigurojë dhe që, nëse realizohet, e detyron Shqipërinë të blejë gaz nga kompania deri në vitin 2050.

Kontrata, e nënshkruar më 28 prill në praninë e kryeministrit Edi Rama dhe të Gilfojëllit, parashikon furnizimin e Albgaz me 1 miliard metra kub gaz të lëngshëm amerikan në vit, duke nisur nga viti 2030.

Po atë ditë, filiali i Aktorit, Aktor Energy USA, nënshkroi me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë një memorandum për një nyje energjetike në Vlorë, përfshirë një central me gaz rreth 380 MW.

Është e njëjta kompani që, në konsorcium me Copri, fitoi në vitin 2020 arbitrazhin kundër Shqipërisë për autostradën Tiranë–Elbasan, duke e detyruar shtetin shqiptar të paguante mbi 44 milionë dollarë.

Largimi i Gilfojëllit mbyll një kapitull në Uashington, por jo në Tiranë. Ambasadorja shkon, por detyrimet që Shqipëria mori përsipër në praninë e saj mbeten në fuqi për dy dekada.

Pyetjet që ngriti Exit.al më herët janë tani edhe më të ngutshme.

    — Si mund të angazhohet qeveria të blejë gaz për 6 miliardë dollarë, kur vendi nuk ka pothuajse asnjë infrastrukturë për përdorimin e gazit, e aq më pak për importin e gazit të lëngshëm?

   — A do ta rishikojë qeveria kontratën me Aktorin, tani që Uashingtoni vetë e ka hequr nga posti ambasadoren që e promovoi?

   — A do ta bëjë publik tekstin e kontratës dhe të memorandumit për Vlorën?

   — A ishte i pranishëm lobisti Marafacos në takimet në Tiranë?

Shpërndaje te miqtë