Shqipërisë i mungojnë edhe fëmijët, në një dekadë kemi humbur 140 mijë nxënës

Stafi i theExit 14 Shtator 2026, 15:22

Shqipërisë i mungojnë edhe fëmijët, në një
Sot nisi viti i ri shkollor 2026–2027, por numri i nxënësve që ulen në bankat e shkollave në Shqipëri është shumë më i ulët se një dekadë më parë.

Rënia e popullsisë, lindjet më të pakta dhe emigracioni po ndikojnë gjithnjë e më shumë edhe te shkollat. Në dhjetë vitet e fundit, Shqipëria ka rreth 140 mijë nxënës më pak, ndërsa edhe numri i shkollave ka rënë vit pas viti.

Për këtë vit shkollor raportohen rreth 320 mijë nxënës në arsimin parauniversitar. Prej tyre, rreth 25 mijë fëmijë ulen për herë të parë në bankat e shkollës.

Megjithatë, të dhënat e viteve të kaluara tregojnë një rënie të vazhdueshme.

Në vitin shkollor 2015–2016, në shkollat fillore, 9-vjeçare dhe të mesme mësonin rreth 474 mijë nxënës. Dhjetë vjet më vonë, në vitin 2025–2026, numri kishte rënë në rreth 333 mijë.

Brenda një dekade, Shqipëria ka humbur rreth 141 mijë nxënës, ose afërsisht 30% të numrit që kishte në vitin 2015.

Vetëm në vitin shkollor 2025–2026, në arsimin 9-vjeçar ishin regjistruar rreth 244 mijë nxënës, rreth 3% më pak se një vit më parë. Në arsimin e mesëm të lartë ishin rreth 89 mijë nxënës, një shifër gjithashtu me rënie krahasuar me vitin paraardhës.

Dhe kjo nuk është një rënie e ndodhur vetëm në një apo dy vite. Numri i nxënësve ka rënë çdo vit gjatë gjithë dekadës: nga rreth 474 mijë në 2015–2016, në 455 mijë një vit më pas, 440 mijë në 2017–2018 dhe më tej në nivele gjithnjë e më të ulëta.

Më pak nxënës, por edhe më pak shkolla
Rënia e numrit të fëmijëve është shoqëruar edhe me uljen e numrit të shkollave, sidomos në arsimin bazë.

Në vitin 2015–2016, Shqipëria kishte rreth 1,400 shkolla publike dhe private. Të dhënat janë të cunguara ndër vite, por ato që janë publikuar për vitin shkollor 2023–2024 tregojnë se numri i shkollave ka rënë në rreth 1,130.

Në një dekadë, krahas nxënësve, në të gjithë vendin janë mbyllur rreth 270 shkolla bazë, ose afërsisht një e katërta e totalit të shkollave që ekzistonin 10 vjet më parë.

Ndryshimi është edhe më i madh nëse përfshihen edhe shkollat e vogla vartëse, të cilat funksionojnë si degë të një shkolle qendër. Në vitin 2015–2016 kishte rreth 2,520 shkolla dhe njësi shkollore të arsimit bazë, ndërsa në 2023–2024 numri i tyre ra në 1,970.

Kjo e çon totalin e shkollave bazë apo njësive vartëse të tyre në rreth 550 më pak.

I vetmi që ruan ritme më të ulëta të rënies është arsimi i mesëm, ku numri i shkollave të mesme ka rënë me vetëm 10 shkolla, sipas të dhënave zyrtare të dy viteve më parë.

Në raport me totalin e shkollave që janë mbyllur në një dekadë – ku shifrat janë ende të paplotësuara me dy vitet e fundit – këtë vit raportohen gjithashtu 53 shkolla të reja ose të rikonstruktuara.

Por përtej investimeve në godinat shkollore, shifra prej vetëm 25 mijë fëmijësh që ulen për herë të parë në klasa në 2026, apo ajo e 140 mijë nxënësve më pak në një dekadë, tregojnë një problem të madh: Shqipëria ka gjithnjë e më pak fëmijë që hyjnë në sistemin arsimor.

Shpërndaje te miqtë